Bajrami: Fitore mjaft e ëmbël, jam krenar me futbollistët e mi

Skuadra e FC Shkupit në ndeshjen e saj të katërt në edicionin e ri, regjistroi edhe fitoren e tretë duke mundur Pelisterin minimalisht 1:0, njofton “infOSport.mk”. Edhe në këtë ndeshje vendimtarë doli të jetë sulmuesi nga Gambia, Dembo Darboe, i cili golin e vlefshëm 3 pikë për skuadrën nga Çairi e shënoi në minutën e 88-të.

Kjo fitore ka lënë të kënaqur edhe trajnerin Muharem Bajrami, sipas të cilit FC Shkupi sot duheshe të shënonte një fitore edhe më të thellë, krahasur rastet që futbollistët e tij i krijuan në këtë ndeshje.

“Jam shumë i kënaqur me fitoren dhe tri pikët e fituara. Gjithsesi se është një ndeshje që më ka bërë të ndjehem krenar me këta futbollist, që nga ndeshja në ndeshje po ngiten lartë e më lartë. Pas gjithçkaje që na ndodhi në Baku ndaj Nefçint, ndeshje kjo në kuadër të Europa League, fitorja e sotme ishte mirëseardhur. Mendoj se e meritonim të fitonim edhe me më shumë gola, kishim dominim gjatë gjithë ndeshjes dhe sidomos në pjesën e parë kur duhej të mbyllnim gjithçka. Kishim raste të mëdha, një penallti të parealizuar, por kjo fitore mund të them se ishte mjaft e ëmbël” – tha pas përfundimit të ndeshjes Muharem Bajrami, i cili foli me mjaft rezerva, kur është në pyetje titulli kampion.

“Kemi në konto 10 nga 12 pikët e mundshme, por ne nuk do marrim hov me deklaratë se po shkojmë për të fituar titullin. Është fakt që Shkupi ka cilësi për gjëra të mëdha, por është shumë herët, është shumë herët për të folur renditjen në tabelë dhe për ambiciet tona. Shkojmë nga ndeshja në ndeshje, shkojmë të sfidohemi, shkojmë për të marrë pikë në të gjitha ndeshjet e ardhshme. Kështu që ne do të shohim në fund se çfarë kemi bërë. Shfrytëzoj rastin të përgëzoj lojtarët e mi për fitoren dhe për tre pikët”, – u shpreh strategu i FC Shkupit, Bajrami.

Falë fitores së sotme, FC Shkupi mban pozitën e parë në renditje me 10 pikë nga katër ndeshje, ndërsa ndeshjen e radhës e luan me 13 shtator në cilësinë e mysafirit kundër Vardarit, kjo për shkak pushimit dy javor që pason në kampionat për shkak ndeshjeve që do ti zhvillojë përfaqësuesja e Maqedonisë.

Leave a Reply