Kumbulla debutoi me Romën, që barazoi me kampionët e Juventusit (VIDEO)

Një ndeshje spektakolare kanë dhuruar në kryeqytetin italian Roma vendase dhe  Juventusi, skuadra këto që në fund u ndanë me barazimin 2:2, njofton “infOSport.mk”.

Në këtë ndeshje te Roma debutimin e tij e bëri mbrojtësi i talentuar shqiptarë, Marash Kumbulla, i cili luajti një takim shumë të mirë përballë kampionëve të Italisë.

Emocionet ishin ruajtur për 15 minutat e fundit të pjesës së parë. Jordan Veretout godet drejt portës mike pas gjysmë ore lojë, por Adrien Rabiot e frenon me dorë. Penallti për djemtë e Fonsekës dhe Veretout nuk gabon nga pika e bardhë.

Dy minuta para mbylljes së fraksionit të parë, arbitri kryesor akordon një tjetër penallti, kësaj radhe për “bardhezinjtë” e Andrea Pirlos.

E fiton vetë Kristiano Ronaldo dhe e shndërron në gol po vetë. E gjithë kjo ndodhi në minutën e 44-të, dhe kur u mendua se pjesa e parë do të mbyllet me barazim, në skenë te Roma doli sërish Veretout, i cili finalizoi një kundërsulm të shpejtë dhe dërgoi topin në rrjetë pas një asisti të armenit Henrikh Mkhitaryan.

Pjesa e dytë nis e dyluftuar, teksa Rabiot merr kartonin e dytë të verdhë në minutën e 62-të. Juventusi me dhjetë lojtarë, teksa Edin Xheko kishte humbur një rast flagrant pak minuta më parë.

Edhe pse me disavantazh numerik, “Zonja e Vjetër” në minutat në vazhdim hidhet në sulm, ndërsa Kristiano Ronaldo edhe njëherë tjetër konfirmoi se është një futbollistë i madh, duke barazuar shifrat në minutën e 69-të.

Krosim i Danilos dhe ylli portugez “fluturon” mes mbrojtjes vendase, duke shënuar me kokë. Gola nuk ka më dhe takimi mbyllet me realizimin fantastik të CR7, i cili me “dopietën” e realizuar evitoi disfatën e ekipit të tij, që pas dy xhirove të para numëron 4 pikë, duke qenë në ndjekje të dyshes së parë, Milan, Verona që kanë nga 6 pikë.

Leave a Reply