Paratici flet për të ardhmen e Ronaldos

Pavarësisht zërave të ditëve të fundit për një transferim te Paris Sen Zhermen apo rikthim te Reali i Madridit, Kristiano Ronaldo do të vijojë të jetë pjesë e Juventusit deri në verën e vitit 2022, madje i njëjti pritet që të vazhdojë edhe më tej bashkëpunimin me kampionët e Italisë.

Një gjë të tillë ka pohuar njëri prej drejtuesve të “Zonjës së Vjetër”, Fabio Paratici, duke herdhur poshtë zërat e merkatos dhe duke theksuar se në klub besojnë shumë te portugezi, i cili nuk ka zhgënjyer asnjëherë në fushën e lojës dhe shpesh ka udhëhequr skuadrën drejt sukseseve.

Me Pirlon në pankinë Juventusi ka nisur një proces rinovimi, pasi janë bërë pjesë e ekipit shumë emra të rinj, që garantojnë cilësi për shumë vite në vazhdim, por njëkohësisht edhe frymëmarrje për arkat e klubit, pasi fitojnë më pak se emra të tjerë që kanë lënë Torinon së fundi.

Megjithatë, ndonëse Ronaldo do të mbushë 36 vjeç në shkurt, duke parë formën e mirë të portugezit dhe atë që Ibra po bën me Milanin ndonëse me 39 vite mbi supe, drejtuesit e Juves nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga CR7.

Përkundrazi, tani i mbetet detyrë Andrea Pirlos që të ndërtojë një formacion ku portugezi do të marrë pjesë më shumë në detyrat sulmuese dhe shumë më pak në fazën mbrojtëse të lojës.

Leave a Reply