Uzuni poston foton me Ronaldon dhe vjen me një porosi të fuqishme për të rinjtë: “Kurrë mos hiqni dorë nga ëndrrat”

Myrto Uzuni po kalon momente të paharruara në karrierën e tij, teksa të mërkurën atij iu plotësua një ëndërr për të luajtur përballë idhullit të tij, Kristiano Ronaldo. Për më tepër Uzuni regjistroi emrin e tij në listën e golashënuesve bashkë edhe me Ronaldon, duke bërë që të shënojë gol që në debutimin e tij në ndeshjet e Ligës së Kampionëve Europian.

Një gol ky që e ka entuziazmuar shumë futbollistin shqiptarë, por jo aq sa takimi në fund të ndeshjes me Kristiano Ronaldon, të cilit i mori edhe fanellën.

Vetë futbollisti ka postuar me krenari fanellën e portugezit  si edhe momentin kur po largoheshin të dy nga fusha e lojës në fund të sfidës. Uzuni kishte një mesazh për të gjithë ndjekësit e tij që të vazhdonin të insistonin për të bërë realitet ëndrrat e tyre, siç kishte bërë ai në natën e të martës.

“Kjo foto dhe ky moment do të mbeten në memorien time gjatë të gjithë jetës, si një moment kur kthen ëndrrat në realitet. Unë jam i lumtur që kam luajtur kundër idhullit tim CR7, lojtari më i mire në botë, shënova kundër skuadrës së tij dhe mora fanellën e tij në fund të ndeshjes… nuk ka fjalë për ta përshkruar çfarë po ndjej, e vetmja gjë që mund të them është…

Kurrë mos hiq dorë nga ëndrrat e tua, lufto për to me gjithçka që ke. Ëndrrat bëhen realitet dhe unë kam punuar shumë gjithmonë dhe kam besuar se mund t’ia dal”, shkruante sulmuesi i përfaqësues shqiptare.

Leave a Reply