Super Darboe, 3 gola për 3 pikë të reja të FC Shkupit në Manastir (VIDEO)

Paraqitja e Dembo Darboe në takimin e sotëm përballë Pelisterit na bënte përshtypje, që sulmuesi nga Gambia është një shkallë më lartë se gjithë të tjerët, kjo falë autoritetit që sulmuesi i FC Shkupit kishte në fushën e stadiumit “Tumbe Kafe” në Manastir, shkruan “infOSport.mk”.

Sulmuesi 22-vjeçar nga Gambia thjeshtë ishte i pandalshëm për mbrojtësit e Pelisterit, ndërsa si zakonisht me një paraqitje briliante u dallua edhe kostarikani, Fredi Alvarez, i cili thjeshtë vallëzonte në fushën e blertë dhe në momente krijohej përshtypja se i njëjti mund të nxjerrë bashkëlojtarët e tij në pozita mjaft të volitshme për të shënuar gola.

Në fund fitore vetëm 3:1 për FC Shkupin, edhe pse po të ishin më serioz futbollistët “bardhekaltër” në finalizimet e tyre, rezultati mund të ishte edhe më i thellë. Ndryshe sot në Manastir, dita ishte e Dembo Darboe që shënoi të tre golat për FC Shkupin.

Sulmuesi i skuadrës nga Çairi shoun e tij e nisi në minutën e 21-të, kur falë harkimit të Darko Glishiç nga e majta arriti që të shënojë golin e parë në rrjetën e Taleskit, duke iu kundërpërgjigjur kështu golit të Borçe Manevskit në minutën e 18-të.

Në minutën e 28-të Darboe shënoi edhe golin e dytë, këtë herë me kokë, falë edhe një tjetër harkimi perfekt të Darko Glishiç nga e majta.

FC Shkupi edhe pas këtij goli të dytë vazhdoi me tempon e njëjtë, ndërsa në anën tjetër Pelisteri rrezikoi me anë të shkupjanit, Lavdrim Fazliu, mirëpo goditja e tij përfundoi në shtyllë.

Në pjesën e dytë FC Shkupi krijoi shumë raste për të shënuar, ku vlen të përmendet edhe ai i Sabit Bilalit, kur doli i vetmuar para portierit vendas, Davor Taleski, mirëpo që në fund ishte sërish Dembo Darboe që arriti të shënojë në rrjetën e vendasve.

Sulmuesi nga Gambia bëri gjithçka mirë në minutën e 54-të në zonën kundërshtare, duke shënuar edhe golin e tretë personal dhe gjithsej të 15-tin nga po aq ndeshje të zhvilluara në LPFMV, transmeton “infOSport.mk”.

Për FC Shkupin ishte kjo fitorja  e 9-të sezonale, me ç’rast kjo skuadër vazhdon luftën për pozitën e parë me Shkëndijën. Skuadra e Umit Karan në këto javë të kaluara ka tubuar 31 pikë, dy më pak se Shkëndija e vendit të parë, ndërkohë Pelisteri me 12 pikë mbetet në pozitën e 10-të.

Leave a Reply