Drita e Bogovinës në javën e 16-të regjistron fitoren e parë në Konferencën e Perëndimit

Është dashur të kalojnë plotë 16 javë kampionat, që Drita e Bogovinës të  regjistrojë fitoren e parë në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra tetovare në xhiron e fundit të pjesës së parë të sezonit 2020/2021, mundi Korabin në Dibër me shifrat 2:3.

Ky rezultat habiti të gjithë, mirëpo si duket është kjo një shpresë për tu rikthyer në binarët e duhur skuadra e Dritës, që vite më parë garonte edhe në Ligën e Parë.

Në 15 ndeshjet e deritanishme, skuadra e Dritës kishte regjistruar 7 barazime dhe 8 disfata, duke u renditur vetëm në pozitën e fundit me 7 pikë të tubuara.

Ndërkohë falë fitores 3:2 ndaj Korabit në Dibër, kjo skuadër arriti në kuotën e 10 pikëve, duke i lënë pozitën e fundit skuadrës së Labunishtit, që ndeshjen e saj të javës së 16-të do ta zhvillojë sot kundër Vardar Forinës, një skuadër tjetër që pjesën e dytë të kampionatit do të luftojë për mbijetesë, njëjtë sikurse edhe Drita dhe Labunishta, transmeton “infOSport.mk”.

Ndryshe golat për Dritën në fitoren 3:2 ndaj Korabit në Dibër, i realizuan Amir Aliu dhe Muharem Mislimi, i cili realizoi dy gola.

Në anën tjetër për vendasit e Korabit shënuan Bleron Muça dhe Filip Aleksovski.

Leave a Reply