Mbyllet faza e parë në Superligën shqiptare, Vllaznia e Adilit dhe Imerit kampione!

Me ndeshjen Partizani-Bylis 0:0 u mbyll faza e parë e Superligës shqiptare për sezonin 2020-2021. Pas 9 xhirove të para, Vllaznia e Mevlan Adilit, Demir Imerit dhe Aleksandar Isaevskit u ndal në pozitën e parë me 19 pikë.

Edhe pse shkodranët të shtunën u mposhtën nga Laçi 1:0, “kuqeblutë” përsëri ruajtën vendin e parë në tabelë, kjo edhe falë fitores (1:0) së Kastriotit ndaj Kukësit.

Me humbjen e sotme, skuadra e Skënder Gegës, pjesë e së cilës është edhe ish treshja e Shkëndijës, Agim Ibraimi, Besir Demiri dhe Gjelbrim Taipi,  qëndron në vendin e dytë me 16 pikë.

Pas nënkampionëve të Shqipërisë pasojnë 4 skuadra me pikë të barabarta (13). Edhe pse Partizani zhgënjen në 4 ndeshje radhazi, skuadra e Ilir Dajës e mbylli fazën e parë të këtij sezoni me 13 pikë, po aq sa kanë edhe kampionët në fuqi të Tiranës, Teuta dhe Kastrioti.

Tirana u ndal nga Skënderbeu në Korçë 1:1, derisa Teuta mundi Apoloninë në Fier 0:1.

Pas 6 barazimeve radhazi, durrsakët besojnë se mund të kenë thyer “mallkimin” e kësaj pjese të parë të sezonit.

Mbresa pozitive lë Kastrioti. Krutanët, të cilët u rikthyen këtë sezon në Superiore, mposhtën pretendentët për kampion Kukësin dhe me 13 pikë ndalen në vendin e 6-të.

Laçi pozicionohet i shtati me 11 pikë, por fitorja ndaj Vllaznisë mund të jetë nisja e një serie pozitive për kurbinasit, që tashmë do të udhëhiqen nga Shpëtim Duro. Bylisi qëndron në vendin e “play-out” me 8 pikë. Megjithatë, barazimi me Partizanin 0:0 vlen për të treguar se ballshiotët mund të arrijnë akoma më shumë në këtë sezon.

Skënderbeu qëndron në vendin e nëntë me 6 pikë, por me barazimin ndaj Tiranës, optimizmi është rritur në kampin korçar për të dalë nga zona e rënies së Superligës shqiptare. Apolonia mbyll renditjen me 5 pikë. Fierakët kanë kaluar një fazë të parë kaotike duke ndërruar 3 trajnerë dhe me siguri se kjo ka ndikuar negativisht te kjo skuadër, që në fazat tjera që vijnë e pret një punë shumë e rëndë për të ruajtur statusin e skuadrës elitare.

Leave a Reply