Izair Emini i gatshëm për tu aktivizuar në janar

Izair Emini është një futbollistë i lirë, mirëpo si duket jo edhe për gjatë kohë. Mesfushori tetovar aktualisht është një agjent i lirë, ndërsa kjo i lehtëson punën atij por edhe klubeve të interesuara për shërbimet e një ndër futbollistëve më të mirë në vend.

Ai së fundmi ishte pjesë e Dritës së Gjilanit, me të cilën u shpall kampion në Kosovë, mirëpo minutazhi i vogël detyroi atë që të ndërpresë bashkëpunimin me skuadrën kosovare gjatë verës së kaluar.

“Për momentin nuk ka ndonjë kontakt konkret. Mund të them se cila skuadër do të interesohet për shërbimet e mia, me atë skuadër do të nënshkruajë” – u shpreh fillimisht Izair Emini, i cili në pyetjen tonë se cilin kampionat do të preferonte të luaj sërish, atë të Maqedonisë, Kosovës apo Shqipërisë, erdhi me këtë përgjigje: “Më shumë preferojë atë vendor, pasi dua të jem afër familjes sime, nuk dua të largohem shumë prej tyre”.

Emini në futbollin tonë vendor ka luajtur me Renovën dhe Shkëndijën, me të cilat skuadra kishte arritur të shpallet kampion, ndërsa jashtë Maqedonisë kishte veshur fanellën e Kukësit në Shqipëri dhe atë të Dritës në Kosovë, me të cilat skuadra gjithashtu kishte fituar trofe.

Leave a Reply