Interi humb ndaj Sampdorias, e ndëshkojnë dy ish futbollistë, fitojnë skuadrat nga kryeqyteti (VIDEO)

Interi ka pësuar edhe disfatën e dytë këtë edicion në “Serie A”, teksa në ndeshjen e vlefshme të javës së 16-të u mund në transfertën ndaj Sampdorias me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.

Kjo disfatë dhemb edhe më shumë, pasi “zikaltërit” i dënuan dy ish futbollistë, Antonio Kandreva dhe Keita Balde, që realizuan të dy golat për skuadrën nga Xhenoa, derisa golin e vetëm për skuadrën e Antonio Kontes e realizoi mbrojtësi De Vrij gjatë pjesës ssë dytë.

Vlen të përmendet se Interi në momentet kur rezultati ishte ai i fillimit, humbi një penalti përmes Aleksis Sançez.

Për dallim nga “zikaltërit”, dy skuadrat nga kryeqendra italiane, Roma dhe Lacio regjistruan fitore shumë të rëndësishme. Roma çështjen e fituesit e zgjodhi që në pjesën e parë, kur falë ‘dopietës’ së Majoral (8’, 29’) dhe një goli tjetër të shënuar nga Mkhitarian (35’), avansoi me rezultatin 3:0. Golin e nderit për vendasit e Krotones e realizoi Golemiç (71’).

Lacio me Strakoshën në portë dhe me Muriqin që u inkuadrua nga bankina mundi Fiorentinën me rezultatin 2:1, falë golave të shënuar nga ana e dyshes sulmuese, Kaisedo – Imobile. Po me të njëjtin rezultat (2:1), Sausolo mundi Xhenoan, ndërkohë Benevento e Filip Inzaghit si mysafir mposhti Kaljarin, transmeton “infOSport.mk”.

Atalanta e Berat Xhimshitit morri një fitore komode 3:0 përballë Parmës, Bolonja dhe Udineze u ndanë në barazimin 2:2, ndërkohë po me barazim (1:1) u mbyll edhe ndeshja midis Torinos dhe Veronës.

Leave a Reply