Adili: Istanbulspor hap i rëndësishëm për karrierën e Et’hemit

Sulmuesi anësorë nga Tetova, Valon Ethemi më 5 janar u zyrtarizua lojtar i ri i Istanbulsporit që garon në Ligën e Parë të Turqisë. Ish zëvendës kapiteni i Kukësit më në fund gjen rehati dhe gjatë ditës së sotme ka pozuar me fanellën e klubit të tij të ri në shoqërim të agjentëve dhe konsulantëve që po menaxhojnë karrierën e 23 vjeçarit. Agjencioni për menaxhim të futbollistëve Soccer 11 me kënaqësi ka uruar futbollistin për kontratën e re, ndërsa për të nderuar firmosjen e marrëveshjes të pranishëm ishin vetë pronari i agjencionit, Adrian Aliaj, bashkëpunëtori i tij Arbër Abilaliaj, si dhe njëri prej konsulantëve më të afërt të futbollistit, Nasip Adili.

“Jemi të lumtur që më në fund kemi mbyllur me sukses këtë transferim ndërkombëtarë të Valon Et’hemit dhe me entuziazëm shikojmë të ardhmen. Pas vetes lëmë periudhë të lodhshme, komplikime të panevojshme administrative për të cilat nuk dua të flas, fatmirësisht shumë oferta dhe në fund mendoj kemi bërë zgjedhjen e duhur. Vlerësojmë se Istanbulspori është një hap i rëndësishëm për karrierën e Valonit”, shprehet Nasip Adili, njëri prej më meritorëve për fitmin e betejës administrative me tashmë ish-skuadrën e Et’hemit, Kukësin. Adili shton se agjencioni Soccer 11 ka plan konkret për të ardhmen e futbollistit.

“Jemi të kënaqur edhe me bashkëpunimin me agjencionin Soccer 11. E njohur është se Adrian Aliaj menaxhon lojtarë cilësorë dhe ka realizuar transferime të mëdha siç janë ato të Amir Rrahmanit në Napoli dhe Mërgim Vojvodës në Torino. Ndjehemi të vlerësuar që besojnë në cilësitë e Valonit dhe shpresojmë në të ardhmen të realizojmë një lëvizje të rëndësishme”, përfundoi Adili.

Valon Et’hemi te Istanbulspor bashkohet me dy ish-bashkëlojtarët e tij nga te Kukësi, Eduart Rroca dhe Kristal Abazaj, ndërsa pasi tashmë një periudhë të konsiderueshme stërvitet me skuadrën turke, pritet të debutojë në ndeshjen e parë të vitit 2021 që në program është më 24 janar kur Istanbulspori pret Adanasporin. Skuadra e Et’hemit pas pjesës së parë të gjysmësezonit mban pozitën e dytë në renditje dhe është në garë për inkuadrim në Super Ligën e Turqisë.

Leave a Reply