Junajtedi i pamëshirshëm, demoloi Sauthemptonin me 9:0 (VIDEO)

Mançester Junajtedi është treguar i pamëshirshëm në ndeshjen e javës së 22-të në Premierligë kundër Sauthemptonit, duke mundur këta të fundit me rezultatin e thellë 9:0, njofton “infOSport.mk”.

Njëherit kjo është fitorja më e thellë e “Djajve të Kuq” nën drejtimin e Ole Gunar Solskjaer, që me këtë fitore barazohen me Sitin në krye të renditjes në Premierligë, mirëpo duhet theksuar se “citizens” kanë dy ndeshje më pak.

Ndryshe katastrofën e Sauthemptonit në këtë ndeshje e paralajmëroi futbollisti i tyre zviceran, Aleksander Jankevitz, i cili vetëm pas 2 minutave lojë u ndëshkua me të kuq, duke lënë skuadër me një futbollistë më pak në fushë.

Kjo lehtësoi punën e futbollistëve të Junajtedit, që golin e parë e gjetën në minutën e 18-të me anë të Bisaka. Në të 25-të, Rashoford dyfishoi epërsinë në 2:0, ndërkohë një autogol i Bednarek në të 34-tën bëri që Junajtedi të avansojë me rezultatin 3:0.

Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë pjesës së parë, pasi Edinson Kavani në minutën e 39-të edhe për herë të katërt mposhti portierin mysafir.

Martial, i cili në lojë u inkuadrua në fillimin e pjesës së dytë, arriti që të realizojë dy gola në këtë pjesë, ndërsa përveç tij realizuan edhe MekTominej, Bruno Fernandesh dhe Daniel Xhejms.

Vlen të theksohet se në minutën e 86-të, Bednarek u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadërën në minutat e fundit të takimit edhe me 9 lojtarë. (infOSport.mk)

Leave a Reply