3 mbrojtës mendojnë për 3 pikë të reja të Struga Trim Lum

Struga Trim Lum ka shënuar fitore 3:1 në ndeshjen e javës së 25-të kundër Bellasicës. Në këtë mënyrë ekipi strugan ndërpreu serinë prej 4 ndeshjeve pa fitore, duke u rikthyer te fitorja, që i mungonte nga data 28 shkurt, njofton “ifOSport.mk”.

Pikërisht ndaj kundërshtarit të sotëm, Struga Trim Lum kishte regjistruar fitoren e fundit, kur në Strumicë kishte shënuar fitore 2:1, falë golave të shënuar nga Altiparmakovski dhe Lena.

Për dallim nga ajo ndeshje, në të cilën futbollistët ofenziv kishin fjalën kryesore, në takimin e sotëm të zhvilluar në Strugë, 3 pikët ekipit të Srgjan Zaharievskit i’a sollën 3 mbrojtës.

Aleksandar Ristevsi paralajmëroi fitoren me golin e shënuar në minutën e 18-të, kur përfitoi nga një devijim i portierit mysafir Vuliç.

Ky i fundit kapituloi edhe në minutën e 27-të, këtë herë falë super golit të shënuar me thembër nga ana e Klisman Cake, i cili këtë herë provoi stilin “alla Ibrahimoviç”. Për ish futbollistin e Tiranës, ishte ky goli i katërt sezonal.

Në pjesën e dytë të dyja skuadrat shënuan nga një gol.

Fillimisht mrbojtësi i Struga Trim Lum, Jasmin Mecinoviq i ndihmuar edhe nga Antonio Kalanoski në minutën e 53-të shënoi golin e tretë në rrjetën e mysafirëve nga Strumica, derisa dy minuta para fundit të takimit, Klisman Cake shënoi në rrjetën e gabuar,  duke i dhuruar një gol Bellasicës.

Doli të jetë ky një gol mjaft qesharak, kjo pasi Mecinoviq në tentativë për të pastruar një top në zonë, goditi Caken, nga trupi i të cilit topi përfundoi në rrjetë. Në fund fitore për Struga Trim Lum, skuadër kjo që regjistroi fitoren e tretë nga po aq përballje me ekipin e Bellasicës. Struga Trim Lum pas 25 xhirove renditet në pozitën e katërt me 37 pikë, një më shumë se Rabotniçki i vendit të 5-të, ndërkohë Bellasica mbetet e ngujuar në pozitën e fundit me 14 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply