Ibrahimoviç në telashe të mëdha, UEFA merr vendimin për sulmuesin e Milanit

Telashet duket se nuk kanë fund për Zlatan Ibrahimoviç! Suedezi rrezikon një dënim të ashpër, teksa UEFA ka hapur një hetim ndaj tij.

Gazeta e njohur suedeze, “Aftonbladet” raportoi pak ditë më parë se Ibra ka shkelur kodin e etikës të FIFA-s dhe UEFA-s, pasi thuhet se është bashkëpronar i markës së basteve sportive “Bethard”, me qendër në Maltë.

Dy qeveritë e futbollit botëror dhe europian nuk lejojnë që lojtarët që marrin pjesë në garat e tyre të kenë interesa financiare në kompani të këtij lloji.

Fakti që Ibra zotëron ende aksione te “Bethard” është konfirmuar nga CEO i kompanisë për median suedeze, Erik Skarp.

Nga verifikimet e bëra, është zbuluar se kompania “AB” e Ibrës zotëron afërsisht 10% të aksioneve në “Gameday Group PLC”, e cila nga ana tjetër është aksionere e vetme te kompania e basteve.

FIFA dhe UEFA e ndalojnë rreptësisht që lojtarët të marrin pjesë në kompani bastesh, të cilat kanë lidhje me futbollin.

Për këtë arsye, UEFA ka hapur një hetim ndaj sulmuesit suedez, teksa në rast se vepra dhe gjithçka tjetër konfirmohet, atëherë lojtari rrezikon nga 300 mijë euro gjobë, deri te përjashtimi për 3 vite nga futbolli i luajtur.

Leave a Reply