Adentunxhi në element, FC Shkupi nuk e diskuton fitoren, e si duket edhe titullin…! (VIDEO)

Sandej Adentunxhi ishte lojtari i ndeshjes së sotme kundër Tikveshit. Sulmuesi nigerian realizoi dy gola në fitoren 3:2 të skuadrës së FC Shkupit, që në këtë mënyrë po ecën me hapa të sigurtë drejt titullit kampion, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse ka edhe shumë ndeshje deri në mbyllje të sezonit, 10 pikë epërsi ndaj vendit të dytë të Shkëndijës bënë që “bardhekaltërit” të shpresojnë si asnjëherë më parë tek titulli.

Ndryshe golin e parë me fanellën e FC Shkupit në takimin përballë Tikveshit, e realizoi braziliani Inacio Queven. Ky i fundit shfrytëzoi një tollovi në zonën kundërshtare dhe me të majtën e tij gjeti cepin e poshtëm në anën e majtë të portës kundërshtare.

Ky gol erdhi në minutën e 41-të, që njëherit doli të jetë i vetmi i shëuari gjatë pjesës së parë, ndërsa në të dytën u shënuan plotë 4 gola të tjerë, nga dy në secilën anë.

Adentunxhi në minutën e 57-të pasi përfitoi penalti, të njëjtën vendosi ta ekzekutojë vetë dhe nuk gaboi, pasi në ato momente dyfishoi rezultatin në 2:0 në favor të FC Shkupit.

Andrej Lazarov në të 77-tën riktheu shpresat e mysafirëve nga Kavadari, duke shnëuar një gol të bukur nga distanca. Këtij goli i parapriu një aksion i mirë i futbollistëve të Tikveshit, me disa pasime të sakta.

Megjithatë FC Shkupi u kundërpërgjigjë sërish me Adentunxhi, i cili në minutën e 86-të realizoi një gol mjaft të bukur, që tashmë e ka bërë zakon me të djathtën e tij vrastare. Në ato momente nigeriani shënoi golin e 3-të për skuadrën vendase dhe të 15-tin personal gjatë këtij edicioni.

Mysafirët tentuan të rikthehen në lojë, duke shënuar vetëm dy minuta më pas me anë të kamerunasit Anael Barga Ngoba, mirëpo ishte kjo gjithçka që mundën të bëjnë në këtë transfertë të vështirë, duke u bërë skuadra e parë që në Çair kanë arritur të shënojnë dy gola.

FC Shkupi falë fitores së sotme, arrinë në kuotën e 51 pikë, dhe me meritë kryesojnë renditjen para Shkëndijës së Tetovës që ka 41 pikë. Tikveshi me 18 pikë mbetet edhe më tej në zonën e rrezikshme. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply