“Doja t’i bërtisja arbitrit, nuk më dilte zëri”, Aguero rrëfen problemin me zemrën

Do të mbetet me siguri një nga ditët më të këqija të jetës së tij. Ishte minuta e 41-të e ndeshjes Barcelona-Alavesh, kur Aguero u rrëzua në tokë për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Ekzaminimet e mëvonshme zbuluan më pas një aritmi kardiake që i dha fund karrierës së tij fantastike.

Kanë kaluar gati shtatë muaj nga ai 30 tetor dhe duke folur para kamerave të “El Hormiguero”, sulmuesi argjentinas ka rikthyer ato momente tragjike.

“Fillova të ndihesha keq dhe doja t’i bërtisja arbitrit që të ndalonte lojën – tha Aguero, – “por zëri im nuk doli. Pikërisht atëherë fillova të ndihesha i trullosur, kështu që e kapa nga dora një mbrojtës dhe i kërkova të ndalonte lojën. Më pas filluan marrje mendsh dhe aritmi. Kur ndaloi, më çuan në spital dhe u shtrova në për tre ditë”.

Argjentinasi tha se edhe para fillimit të sezonit kishte pasur disa shenja: “Fillova të ndihesha keq parasezonit, me simptoma të çuditshme, por mendova se ishte stërvitja, vapa… Më pas u dëmtova dhe u ndala për pak muaj, u ndjeva në siklet. Pastaj u ktheva në stërvitje dhe nuk merrja frymë mirë. I thashë një doktori që isha i sëmurë, më pas më filloi aritmia. Ata bënë testet dhe gjithçka shkoi mirë, por ndodhi ajo tragjedi në stadium”.

Leave a Reply