Futbollistët e Bullgarisë përfshihen në aksident trafiku në Tbilisi, e pëson mesfushori Nedelev

Një lajm shqetësues për kombëtaren futbollistike të Bullgarisë vjen nga Gjeorgjia, aty ku dy autobusët që po transportonin futbollistët e kësaj kombëtare nga aeroporti në Tbilisi drejt hotelit, janë përplasur njëri me tjetrin, njofton “infOSport.mk”.

Dy autobusët po lëviznin njëri pas tjetrit me shpejtësi të madhe. Shoferi i autobusit të parë për një moment kishte frenuar për shkak të një ndalimi të papritur të një makine tjetër që ndodhej para tij, ndërsa kjo kishte bërë që autobusi i dytë të përplasej me të parin.

Goditja ishte aq e fortë sa që mesfushori Todor Nedelev e pësoi më rëndë. Ai ishte mbuluar me gjak, pasi grimcat e xhamave të dritares së thyer ku ndodhej ai, i kishin përfunduar që të gjitha në fytyrë.

Policia gjeorgjiane ka nisur hetimet menjëherë lidhur me aksidentin.

Kombëtarja bullgare të dielën duhet të zhvillojë ndeshjen kundër Gjeorgjisë, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e katërt në kuadër të Ligës së Kombeve, grupi 4, Liga “C”, ku bëjnë pjesë gjithashtu edhe Maqedonia dhe Gjibraltari, dy përfaqësuese këto që në të njëjtën ditë do të përballen njëra me tjetrën në Shkup në arenën “Todor Proeski”. (infOSport.mk)

Leave a Reply