Besart Ibraimi dhe Fatjon Jusufi shënojnë në debutim me fanellën e Struga Trim Lum

Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme ka zhvilluar ndeshjen e parë kontrolluese në prag të sezonit të ri futbollistik që do të startojë në javën e parë të muajit gusht, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra strugane luajti ndaj fqinjëve të Ohrid Lihnidos, ndaj së cilës skuadër në fund triumfoi me shifrat 3:1, mirëpo në një ndeshje që zgjati vetëm 75 minuta, pasi e njëjta u ndërpre për shkak shiut të rrëmbyeshëm që filloi të binte në Ohër.

Ishin futbollistët e Ohrid Lihnidos që shënuan të parët në këtë përballje falë një penaltie të akorduar në favorin e tyre, mirëpo shumë shpejt gjërat erdhën në vendin e duhur për skuadrën e Struga Trim Lum, që falë golave të shënuar nga Fatjon Jusufi dhe Besart Ibraimi, në pushim shkoi me epërsi minimale 1:2.

Gjatë pjesës së dytë trajneri Zaharievski vendosi të bëjë më shumë ndryshime, duke ju dhënë rastin e disa prej futbollistëve të rinj të shkollës së skuadrës strugane, përfshirë këtu emrat si Kaba, Vlashi, Bauta edhe Dani, të cilët kënaqën me performancën e tyre, teksa brenda 30 minutave lojë në këtë pjesë, golin e tretë për skuadrën e Struga Trim Lum e realizoi Andylhadi Jahja.

Vlen të theksohet se trajneri Zaharievski në këtë ndeshje luajti me dy formacione të ndryshme, duke ju dhënë shansin plotë 22 futbollistëve, përfshirë këtu edhe transferimet e reja, Besart Ibraimi, Fatjon Jusufi, Enis Gavazaj dhe Zija Merxhani. Këta dy të fundit në lojë u inkuadruan gjatë pjesës së dytë. (infOSport.mk)

Formacioni i Struga Trim Lum
Pjesa e parë: Mirserloski, Radiç, Ilieski, Kasami, Jahja, Bojku, Shabani, Koçoski
Muharemi, Ibraimi, Jusufi
Pjesa e dytë: Kitanovski, Ziba, Pere, Bauta, Dani, Tairi, Kaba, Merxhani, Gavazaj, Maleski, Vlashi

Leave a Reply