Njihuni me shkupjanin Iseni, i cili po çmend sllovakët me euro golat e tij (VIDEO)

Shkupi çdoherë prodhon talent, ndërsa një prej tyre pa dyshim se është edhe 20-vjeçari Bilal Iseni. I dalë nga shkolla e Beshiktash, për të vijuar më pas edhe te shkolla e FC Shkupit dhe ajo e Nju Star, për të luajtur më pas me ekipet e seniorëve të Vëllazërimit dhe Vardar Forinës, shkupjani fillimin e këtij viti u transferua në futbollin sllovak.

Talentin e tij e kishin zbuluar nga “Academy Hamsik”, që është në pronësi të futbollistit të njohur sllovak,  Marek Hamshik, dhe që po thith talente të reja, për ti bërë gati për tregun europian të futbollit.

Të shpresojmë se një ndër ata do të jetë edhe Bilal Iseni, i cili këtë fundjavë realizoi golin e parë në ndeshjen e tij të katërt me fanellën e “Academy Hamsik” gjatë sezonit të ri.

“Po, e vërtetë është se te Academy Hamsik ka shumë futbollistë të talentuar. Unë ekipin e Academy Hamsik e shoh si trampolinë për të bërë hapin e duhur për të kaluar në një rang më të lartë garash këtu në Sllovaki, e pse jo edhe në ndonjë kampionat tjetër më tq fuqishëm. Ëndërra ime është që të luaj në ligat më të fuqishme europiane, shpresoj që edhe fatin të kem në anën time, por njëkohësisht edhe ndihmën e Zotit për të më ruajtur nga ndonjë dëmtim i natyrës më të rëndë. Deri më tani gjithçka po shkon sipas planit, ndaj besoj se kështu do vazhdoj edhe më tej dhe se në fund do bëjë të lumtur gjithë familjen time, në veçanti babain tim, i cili është edhe krahu im i djathtë. Pa ndihmën e tij, ndoshta nuk do arrija edhe këtu ku jam sot” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” nga Sllovakia, shkupjani i talentuar Bilal Iseni.

20-vjeçari nga Shkup këtë fundjavë realizoi një super gol nga gjuajtja e lirë, edhe atë në minutën e 84-të, duke ndihmuar ekipin e tij të Academy Hamsik për të mundur skuadrën e SKF Sered me rezultatin minimal, 1:0.

Iseni luan si mbrojtës i krahut të majtë, edhe pse gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, kur edhe iu bashkua skuadrës së Academy Hamsik luajti edhe si sulmues i krahut të majtë, duke realizuar 3 gola në 12 ndeshje. (infOSport.mk)

Leave a Reply