Mesazhi i Dardan Miftarit para derbit me FC Shkupin: Sot në Çair le të fitojë më i miri, le të fitoj futbolli

Sot Çairi do të jetë epiqendra e futbollit vendor. Kampionët në fuqi të FC Shkupit para tifozëve të tyre do të mirëpresin liderin aktual, Struga Trim Lum, njofton “infOSport.mk”.

Në prag të këtij takimi shumë të rëndësishëm për të dyja skuadrat, nga tabori i Struga Trim Lum ka folur trajneri i portierëve, Dardan Miftari, i cili pikërisht te FC Shkupi kishte bërë hapat e parë si portier, e më pas edhe si trajner i portierëve, e ku aktualisht këtë rol me mjaft sukses po e kryen te skuadra strugane.

“Të luash në stadiumin e FC Shkupit është kënaqësi për mua që jam fëmijë i dalur nga ky klub. Gjithçka fillova aty si portjer dhe si trajner i portjerëve, fillova aty karrierën time. FC Shkupi më ka dhënë mundësinë të jem ky që jam sot, dhe kam respekt të madh për këtë klub si dhe për tifo grupin “Shvercerat”, që dijnë të bëjnë atmosferë të jashtëzakonshme. Shpresoj se do të kemi pritje vëllazërore dhe në fund le të fitoj më i miri, dhe mbi të gjitha le të fitoj futbolli” –  u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Dardan Miftari.

Ndeshja FC Shkupi – Struga Trim Lum starton në ora 14:00, ndërsa drejtësinë në këtë derbi do ta ndajë një ndër arbitrët më të mirë vendor, Aleksandar Stavrev. (infOSport.mk)

Leave a Reply