Tërmeti në Turqi, tifozët e Trabzonspor vijnë me një mesazh të fuqishëm: “Së bashku do të shërojmë plagët tona” (VIDEO)

Skuadra kampione në fuqi e Turqisë, Trabzonspor, pjesë e së cilës është edhe futbollisti shkupjan, Enis Bardhi, sonte në kuadër të Ligës së Konferencës po zhvillon ndeshjen e parë  të 1/8 së finales përballë Bazelit të Taulant Xhakës dhe Andi Zqirit, njofton “infOSport.mk”.

Kjo ndeshje, ishte e para që u zhvillua në tokën turke, pas tërmetit të fuqishëm prej 7.8 ballësh që goditi disa qytete në pjesën veriore të Turqisë, e ku si pasojë afër 40 mijë persona humbën jetën.

Pa dyshim është kjo një ndër fatkeqësitë më të rënda që ka goditur shtetin tukr në historinë e saj, mirëpo si çdoherë ky popull ka ditur të ngritet edhe më fuqishëm.

Dëshmi për këtë është solidariteti mes tyre, por edhe dashuria që kanë për atdheun. Kujtojmë mbrëmë vetëm brenda 6 orëve jo të plota përmes linjeve telefonike në televizionin kombëtar, ata tubuan 6 miliard dollarë për zonat e prekura nga tërmeti, ndërsa sot, pavarësisht rivalitetit të madh që ekziston mes tifozërive të skuadrave të mëdha, ata ishin mbledhur bashkë për të bërë tifo për ekipin e Trabzonsporit.

Siç vërehet edhe tek videoja në tribunën qendrore ku u shpalos një koreografi gjigande, përveç flamujve të shtetit turk, që ishin në numër shumë të madh, mund të shiheshin edhe flamujt e Galatasarajit, Fenerbahçes, por edhe Beshiktashit, tifozët e të cilave skuadra kishin udhëtuar sot drejt Trabzonit, për të përkrahur këtë skuadër në sfidën ndaj Bazelit.

Edhe mesazhi që u shpalos në tribuna ishte më se i qartë dhe frekuentonte me këtë bashkim, pasi i njëjti tingëllonte kështu: “GJITHMONË DO TE JEMI BASHKË, (SË BASHKU)DO TI SHËROJMË PLAGËT TONA.”.

(Linku: https://www.facebook.com/infosport.mk/videos/588872679440103)

Ndërkohë koreografia e shpalosur ishte mjaft kuptimplotë.

Detajet në të lënë mbresa te veçanta: minatori/ekipet e shpëtimit me fëmijën e shpëtuar,  në helmetë flamujt e shteteve që i erdhën në ndihmë Turqisë, përfshirë këtu edhe atë kombëtarë me Shqiponjën Dy Krenare,  mbishkrimi “Thank You” në shiritin e krahut, duke mos e harruar edhe qenin e ekipit meksikan “Proteo”, që për fat të keq humbi betejën gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit. Dora nga posht gërmadhave që mban flamurin e Turqisë dhe që simbolizon unitetin e kombit turk.

E gjithë kjo ndodhi para fillimit të takimit, ndërsa në fund të gjithë të pranishmit në stadiumin “Medical Park”, u ndanë të kënaqur, pasi Trabzonspori falë golit të shënuar nga Stryger Larsen në minutën e 65-të, mundi me rezultat minimal skuadrën e njohur zviceriane të Bazelit. (infOSport.mk)

Leave a Reply