Dortmundi sërish gabon, humb dy pikë të arta ndaj një skuadre nga pjesa e poshtme e tabelës (VIDEO)

Skuadra e Borusia Dortmundit ka bërë edhe një hap fals në garë për titullin e kampionit, që tashmë ju mungon plotë 11 vite.

Të besuarit e trajnerit Edin Terziç sonte barazuan 1:1 kundër skuadrës së Bohumit në ndeshjen e vlefshme të javës së 30-të në Bundesligë.

Edhe pas këtij barazimi Borusia e Dortmundit mbetet lider, mirëpo tashmë me vetëm dy pikë më shumë se Bajerni i Munihut, skuadër kjo që ndeshjen e kësaj xhiroje do të përballet me skuadrën më të dobët të sezonit, Hertën e Berlinit.

Ndeshja nisi shumë vrrullshëm, pasi vetëm brenda 120 sekondave skuadrat shënuan nga një gol. Të parët shënuan vendasit që në minutën e 5-të me anë të Antoni Losila, derisa në minutën e 7-të Karim Adejemi arriti që të barazojë shifrat në 1:1, pas asistit të Sebastian Aller.

Pas këtij goli të barazimit, “verdhezinjtë” vazhduan të krijojnë shumë raste para portës së Bohumit, mirëpo Adejemi në disa raste nuk ishte i saktë në fazën përfundimtare.

Gjatë pjesës së dytë e njëjta fotografi në fushë, me futbollistët e Dortmundit që vazhduan të sulmojnë dhe të krijojnë raste shënimi. Adejemi sërish ishte futbollisti më i rrezikshëm, duke qenë më aktivi në sulm, ndërsa disa raste për gol pati edhe Belingam.

Në fund vetëm barazim për skuadrën e Dortmundit, që në këtë mënyrë regjistroi barazimin e dytë në tre ndeshjet e fundit kampionale. Bohumi në anën tjetër vazhdoi të mos bind, teksa vazhdon të mos nuhasë shijen e fitores që nga 18 marsi e këndej. (infOSport.mk)

Leave a Reply