Konfirmohet lajmi i “infOSport.mk”, Hamza Ramani vishet sërish “bardheblu”

FC Shkupi vazhdon me prezantimin e futbollistëve të rinj në prag të sezonit të ri, teksa sot “bardheblutë” nga Çairi kanë prezantuar mesfushorin e talentuar, Hamza Ramani, njëherit anëtar i përfaqësueses shpresa të Maqedonisë.

Lajmin për transferimin e Ramanit te FC Shkupi, “infOSport.mk” e kishte bërë të ditur që me datë 3 qershor, ndërsa sot vjen edhe konfirmimi nga ana e drejtuesve të skuadrës nënkampione të vendit.


LEXO GJITHASHTU: Hamza Ramani rikthehet sërish në folenë e vjetër


Ramani është një emër i njohur, sidomos për tifozët e FC Shkupit, kjo pasi pikërisht nga shkolla e kësaj skuadre kishte dalë si një futbollist shumë i talentuar, për tu pjekur në ekipe tjera dhe tani rikthehet shumë më i fortë ne fole të tij.

Hamza Ramani për tre vite me radhë u kalit në ekipe të ndryshe si në kategorinë  e dytë ashtu edhe në atë të parë. Fillimisht luajti me ekipin e Vëllazërimit të Kërçovës, Veleshtës nga Struga dhe Bellasicës në kategorinë e dytë, që më pas të luajë në kategorinë e parë me Pobedën, prej ku bëri transferim te Sileksi. Paraqitjet e mira dhe ngritja e formës së Ramanit ishte vendimtare që drejtuesit e FC Shkupit ta rikthejnë atë në Çair.

Kujtojmë se Hamza Ramani është pjesë e të gjitha kategorive të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, ndërsa së fundmi është grumbulluar me U21, për miqësoret ndaj Armenisë dhe Maltës.

Ramani me FC Shkupin ka nënshkruar kontratë për tre vite. (infOSport.mk)

Leave a Reply