Krivanjeva: Gati për më të mirën, gati për historinë më të re të Struga Trim Lum

Struga Trim Lum mbrëmë vonë arriti në qytetin e Podgoricës, aty ku skuadra para dite ka pushuar, për tu përgatitur për stërvitjen zyrtare të mbrëmjes së sotme. Stërvitja është paraparë të zhvillohet në ora 21:00, në të njëjtën kohë kur skuadra strugane nesër në “City Stadium” – Podgorica do të zhvillojë ndeshjen e turit të dytë eliminatorë kundër Buduçnostit.

Në prag të këtij takimi shumë të vlefshmë për skuadrën e Struga Trim Lum, ka folur mbrojtësi Besart Krivanjeva, i cili beson te më e mira, duke besuar në forcat që ka skuadra.

“Jemi akomoduar që mbrëmë këtu në Podgoricë, me të vetmin qëllim që të jemi sa më të pushueshëm për ndeshjen historike që na pret të martën. Atmosfera në skuadër është në nivelin e duhur, gjithçka deri më tani ka qenë e shkëlqyer. Në mbrëmje na pret edhe stërvitja zyrtare, për tu njohur për së afërmi me fushën e stadiumit, aty ku nesër mbrëma do të zhvillojmë një nga ndeshjet më të rëndësishme në historikun e skuadrës tonë” – u shpreh fillimisht Krivanjeva.

Tashmë kur ekipi strugan ka provuar forcat me Buduçnostin, Krivanjeva thotë se e kanë më të lehtë, pasi e dinë se me çfarë kundërshtari kanë të bëjnë.

Ai thotë se Struga Trim Lum nuk pati fat në ndeshjen e parë në Ohër, pasi realisht ndeshja duheshe të përfundojë me një rezultat më të thellë në favorin e tyre.

“Realisht ndeshjen e parë duheshe ta mbyllim me një rezultat më të thellë, bazuar në rastet që krijuam, në veçanti gjatë pjesës së parë, ku nga gjithsej 5-6 raste të pastërta, arritëm të shënojmë vetëm njëherë. Shpresoj që këtu në Podgoricë fati të jetë me ne, dhe të ndodh e kundërta, të kemi më pak raste, por të shënojmë më shumë se një gol dhe të kryejmë punën vetë, kur është në pyetje kualifikimi në turin e tretë të Ligës së Konferencës” – tha Krivanjeva.

Rezultati 1:0 nga ndeshja e parë nuk është se u jep komoditet struganëve, ashtu që Krivanjeva kërkon që skuadra të luaj njëjtë sikurse edhe në ndeshjet tjera të këtij edicioni në Europë.

Sipas tij, sulmi është arma më e mirë, ndaj dhe Struga Trim Lum do të kërkojë të shënojë sërish, pavarësisht se luan në transfertë.

“Struga Trim Lum me trajnerin Duro luan futboll të hapur, pavarësisht nëse luan brenda apo jashtë. Kjo është filozofia e trajnerit tonë, me të cilën jemi pajtuar edhe neve lojtarët, pasi realisht në futbollin modern nuk luan rol se ku e luan ndeshjen. Më së miri këtë e përjetuam edhe neve në turin e parë të Ligës së Kampionëve, kur nxorrëm një barazim në transfertë kundër Zhalgiris, mirëpo humbëm ndeshjen në Ohër, edhe pse realisht në atë ndeshje fati nuk ishte me ne, duke pasur parasysh se kishim epërsi, të cilën e humbëm vetëm brenda 5 minutave. Megjithatë futbolli është i tillë dhe neve duhet të shohim para, na pret tashmë ndeshja me Buduçnost, ndaj së cilës skuadër jemi të gatshëm të japim më të mirën, me të vetmin qëllim që ti gëzojmë gjithë tifozët strugan, por edhe të shkruajmë një pasqyrë të re në historikun e klubit tonë” – përfundoi Krivanjeva, i cili ishte titullarë në të trija ndeshjet e deritanishme në Europë, aty ku skuadra e Struga Trim Lum shpreson të qëndrojë më gjatë.

Ndeshja Buduçnost-Struga Trim Lum nesër në “City Stadium” – Podgorica starton në ora 21:00, ndërsa nëse Struga Trim Lum arrinë të eliminojë ekipin malazez, në turin e tretë e pret fituesin nga përballja midis Hesperange nga Luksemburgu dhe FC The Neës Saints nga Uellsi.

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar në Uells, ishte mbyllur me barazim 1:1.

Leave a Reply