Ish trajneri i kombëtares shqiptare Hafizi nuk përmbahet: “Marrim lojtarë nga Kosova e Maqedonia dhe i zëmë vendin Muçit”

Ernest Muçi po kalon momentet e tij më të mira në karrierë. Këtë sezon, sulmuesi shqiptar është një nga lojtarët kyç në radhët e Legias së Varshavës, për të cilën skuadër po shënon si në kampionat, ashtu edhe në garat europiane, përfshirë këtu edhe dy golat e fundit kundër Aston Villas.

Ndërkohë ish trajneri i kombëtares shqiptare, Astrit Hafizi ka kritikuar trajnerin Silvinjo për minutat e pakta që i ka dhënë në Kombëtare këtij talenti. Ai në emisionin “Studio Sport” në “Vizion Plus” ka thënë se duhet dhënë përparësi Muçit në krahasim me lojtarët shqiptarë që vijnë nga Kosova apo Maqedonia e Veriut, duke aluduar së fundmi te Asani, Mirlind Daku dhe Arbnor Muja.

“Muçi është grumbulluar herë pas here. Nuk i është dhënë mundësia, me raste shumë të pakta, në mos gabohem në Ishujt Faroe. Sinjalet i ka dhënë këtu në Tiranë. Për çudi, ne kemi dëshirë të grumbullojmë lojtarë që i kemi gati ose na vijnë nga jashtë, përgjithësisht janë shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe i zihet vendi këtij. Për mua është e pafalshme, duke pasur parasysh që ky kontribuon diku. Është lojtar që luan me kokën lart. Duke ardhur njëri apo tjetri, që bën pasaportën shpejt, do mbesi ky i joni që është lojtar. Si Muçi mund të kemi pasur edhe lojtarë të tjerë. Metoda që përzgjidhet është e tepruar. Jo se lojtarët nuk duhet të vijnë. Ata që janë shqiptarë të Shqipërisë, Maqedonisë, apo Kosovës kanë të drejtë të vijnë, por jo në këto përmasa të jashtëzakonshme. Këta lojtarë që janë formuar në akademitë tona, duhet të presin radhën”, – ka thënë Astrit Hafizi.

Gjithsej të etiketuara

Leave a Reply