Erdon Daci: Ndaj Ukrainës luajmë për fitore

Erdon Daci është njëri nga futbollistët që rikthehet te përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut pas një kohe të gjatë rikuperimi nga lëndimi që kishte. Sulmuesi nga Shkupi mori ftesë shtesë nga seleksionuesi Bllagoja Milevski për dy ndeshjet e tetorit ndaj Ukrainës dhe Armenisë, pasi fillimisht në listën e publikuar, nuk ishte i përfshirë.

Me këtë rast, Daci flet për lëndimin dhe rikthimin e tij te ekipi përfaqësues.

Kam pasur probleme të futbollit që i ndodhin secilit, por besoj që i kam lënë pas gjithë këto lëndime dhe tani jam gati. Jam këtu me meritat e mia, pasi kam pasur lëndimin një kohë të gjatë dhe më duhej kohë për tu rikthyer” – u shpreh Erdon Daci, i cili shpreson në fitore ndaj Ukrainës.

“Pres fitore në të dyja ndeshjet. Normalisht takimi ndaj Ukrainës është më i rëndësishëm, pasi është për kualifikuese. Shpresoj ti kem minutat e mia, do të jetë privilegj për mua. Si gjithmonë do të shkojmë për fitore edhe kundër Ukrainës” – vijoi Daci, që ende beson te skuadra, duke potencuar se Maqedonia mund të bëj edhe një befasi tjetër në këtë grup eliminator për Europianin 2024.

“Futbolli ka plot befasi dhe nuk është hera e parë që Maqedonia ka befasuar apo mundet të befasojë. Ka kualitet të lartë, ka edhe lojtarë cilësor pse jo mos të befasoj edhe në këtë grup” – përfundoi Daci, i cili me ftesën shtesë, bëhet futbollisti i 8-të shqiptarë që do të luaj për përfaqësuesen e vendit, pas Arijan Ademit, Enis Bardhit, Ezgjan Alioskit, Valon Et’hemit, Agon Elezit, Isnik Alimit dhe Visar Musliut.

Përfaqësuesja e vendit këto ditë do të përgatitet në Shkup, ndërsa të enjten udhëton drejt Pragës, aty ku me 14 tetor do të luaj ndeshjen ndaj Ukrainës të vlefshme për eliminatoret e Europianit, ndërsa tre ditë më vonë në Strumicë do të përballet me Armeninë në një duel kontrollues.

Leave a Reply