Miljan Radoviç, i cili u shkarkua nga drejtuesit e Voska Sport, pas disfatës ndaj FC Shkupit në xhiron e parë të stinorit pranveror, shumë shpejtë ka gjetur angazhimin e tij të ri.
Strategu malazez do të vazhdojë të punojë në vendlindjen e tij, pasi ka gjetur gjuhën e përbashkët për të udhëhequr skuadrën e Sutjeskas.
Ai në këtë post zëvendëson bashkëpatriotin e tij, Dragan Mijanoviç, i cili u shkarkua pas barazimit të fundit me Buduçnostin në ndeshjen e vlefshme të javës së 23-të në elitën e futbollit malazez.
Vlen të theksohet se Radoviç, bëhet trajneri i katërt vetëm brenda këtij edicioni që do të udhëheq skuadrën e Sutjeskas.
Këta të fundit sezonin aktual e kishin nisur me Nenad Brnoviç, me të cilin ishin ndarë më 10 gusht të vitit të kaluar, pas debaklit të pësuar në ndeshjet europiane, për të vijuar më pas me Vladimir Jankoviç, i cili kishte mbijetuar vetëm 4 muaj, ndërsa nga 23 dhjetori në krye të kësaj skuadre kishte qëndruar Dragan Mijanoviç, nën drejtimin e të cilit, Sutjeska kishte regjistruar 1 fitore, 2 barazime dhe 1 disfatë. (infOSport.mk)