
Dy skuadrat që po kërkojnë formën dhe stabilitetin në këtë fund të sezonit, Llapi dhe Ferizaj, kanë shënuar fitore të rëndësishme në ndeshjet e javës së 29-të në “Albi Mall” Superligën e Kosovës në futboll.
Llapi i Tahir Batatinës ka shënuar fitoren e tretë radhazi në të gjitha garat, duke mposhtur në shtëpi Feronikelin 74, me rezultat minimal 1:0. Golin e vetëm në këtë përballje e realizoi sulmuesi Ardit Tahiri nga penalltia në fundin e pjesës së parë, saktësisht në minutën e 45-të.
Me këtë fitore, skuadra nga Podujeva largohet nga zona e rrezikshme dhe tashmë renditet në pozitën e 7-të me 36 pikë, po aq sa ka edhe Dukagjini i Ismet Munishit, që është një pozitë më poshtë.
Ndërkohë, pas kësaj disfate, Feronikeli 74 edhe matematikisht ka humbur statusin e skuadrs elitare, ashtu që edicionin tjetër skuadra nga Drenasi do të garojë në Ligën e Parë të Kosovës.
Fitore me shumë peshë ka regjistruar edhe skuadra e Ferizajit, që në këtë mënyrë ka vazhduar formën pozitive, duke shënuar fitoren e dytë radhazi në kampionat. Skuadra e drejtuar nga trajneri Arsim Abazi në takimin e sotëm të zhvilluar në qytetin e Ferizajit, e mposhti Malishevën me rezultat 1:0.
Golin vendimtar e shënoi Edon Sadriu në minutën e 39-të, kur mjaft mirë u asistua nga Valmir Nafiu. Ky gol doli të jetë i vetmi i shënuar në këtë takim, duke i siguruar kështu skuadrës së tij tre pikë të mëdha në garën për vendet e para.
Pas kësaj fitoreje, Ferizaj ngjitet në pozitën e katërt në tabelë me 41 pikë, vetëm gjashtë më pak se Malisheva që mban vendin e tretë, pozitë kjo që siguron pjesëmarrje në garat evropiane.