
Nga Ferri në Parajsë, kështu mund të përshkruhet fitorja e çmendur e Mançester Junajtedit përballë Lionit në “Olld Traford”.
Pas epërsisë prej 2 golave, “Djajtë e Kuq” lejuan që Lioni të barazojë shifrat në 2:2, për të dërguar ndeshjen në shtesa. 15 minutëshi i parë doli të jetë një ferr i vërtetë për skuadrën e Amorim, pasi ekipi franez edhe me 10 lojtarë në fushë, arriti që të shënojë, për të avansuar me rezultatin 3:2.
Që punët të jenë edhe më të vështira për ekipin anglez, kontribuoi një penalti e akorduar në minutën e 110-të, kur Lakazete e shndërroi në gol, për rezultat 4:2.
Dhe kur të gjithë prisnin një Lion në gjysmëfinale, madje disa edhe prej tifozëve të Junajtedit, që vendosën të braktisin shkallët e stadiumit, ndodhi mrrekullia.
Mançester Junajtedi riktheu lojën në total, duke parë veten në Parajsë, falë 3 golave të shënuar me anë të Fernandesh, Maino dhe Maguire, edhe atë në një interval kohor prej vetëm 6 minuta e gjysmë.
Në fund, fitore e çmendur e Mançester Junajtedit përballë Lionit të Fonsekas, për të siguruar një vend në gjysmëfinale dhe një përballje me Atletik Bilbaon, që në “San Mamesh” mundi Gllazgou Renxhersin e Nedim Bajramit me shifrat 2:0.
Përballja tjetër gjysmëfinale do të jetë ajo midis Totenham dhe Bodo/Glimt nga Norvegjia.
Totenhami mundi Frankfurtin në Gjermani me rezultatin 1:0, i mjaftueshëm për të kaluar tutje me rezultatin e përgjithshëm 2:1, pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë në Angli, derisa një dramë e vërtetë ndodhi edhe në kryeqendrën italiane në Romë, aty ku Lacio pavarësisht që riktheu rezultatin dhe në një moment pa veten në avantazh prej 3:0, duke përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë në Norvegji, kur humbiste me shifrat 2:0, një gol i Andreas Helmersen, bëri që ndeshja të ju drejtohet penaltive, aty ku më të suksesshëm dolën të jenë norvegjezët dhe për herë të parë në historikun e tyre të luajnë në një gjysmëfinale në garat europiane.
Ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Totenhamit, skuadra e Bodo/Glimt do ta zhvillojë në Angli me datë 1 maj, derisa atë kthyese me datë 8 maj në Norvegji. (infOSport.mk)