Ndodhi edhe kjo sot në Hasanbeg në ndeshjen Shkëndija H-Pelisteri! (VIDEO)

Sot në lagjen Hasanbeg të Shkupit, Shkëndija e Haraçinës ishte vendase e Pelisterit në ndeshjen e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës së Maqedonisë. Pas 90 minutave lojë, Shkëndija e Haraçinës i’a doli që të dalë fitues me rezultatin minimal 1:0 falë golit të shënuar nga mbrojtësi Arsim Lamallari.

Fitorja e “Çlirimtarëve” nga Haraçina ishte më se e merituar dhe ju siguroi atyre një vend për në ndeshjet çerelfinale të Kupës, aty ku gjithashtu do të luajnë edhe Struga Trim Lum, Sileksi dhe Rabotniçki, pas përfundimit të ndeshjeve të sotme.

Megjithatë, ajo që ra në sy gjatë transmetimit të ndeshjes midis Shkëndijës së Haraçinës dhe Pelisterit në kanalin zyrtarë të FFM-së në youtube, ishte se skuadra vendase u prezantua me logon e Shkëndijës së Tetovës.

E njëjta qëndroi në ekran deri në minutën (57:13), që më pas Shkëndija e Haraçinës të etiketohet me logon e Kozhuvit, ndërsa më në fund, nga minuta e 58-të, përgjegjësit e transmetimit arritën të gjejnë logon e duhur të skuadrës haraçinase, që si duket këtë vit është e gatshme për të shkruar historinë edhe në ndeshjet e Kupës.

Kujtojmë, Shkëndija e Haraçinës edhe edicionin e kaluar kishte eliminuar Rabotniçkin nga garat e Kupës, edhe atë që në raundin e parë, për tu eliminuar më pas nga Shkëndija e Tetovës në raundin e 1/8 së finales.

Ndryshe, suksesin më të madh në kuadër të garave të Kupës, Shkëndija e Haraçinës e ka regjistruar viteve të 90-ta, kur kishte arritur deri në gjysmëfinale. Atë kohë, kuqezinjtë nga Haraçina ishin eliminuar nga ish ekipi i Slloga Jugomagnatit, aktualisht, FC Shkupit. (infOSport.mk)

Leave a Reply