Agim Ibraimi, njëherit edhe një nga anëtarët e Bordit Drejtues të FFM-së, gjatë ditës së sotme së bashku edhe me numrin 1 të Tetovës, Bilall Kasami, kishte vizituar stadiumin e qytetit të tij, ku po vijojnë punimet tashmë disa javëshe, shkruan “infOSport.mk”.
Ibraimi kishte premtuar përkrahje edhe nga FFM për një stadium modern në Tetovë, aty ku më në fund Shkëndija do ti zhvillonte ndeshjet si vendas në arenën ndërkombëtare, por kuptohet edhe në futbollin vendor.
Shkëndija viteve të fundit po luan një rol të rëndësishëm në futbollin elitar, por gjithsesi edhe në atë europian. “Kuqezinjtë” këtë vit shkruajtën historinë, duke u kualifikuar në grupet e Ligës së Konferencës, mirëpo për fat të keq ndeshjet si vendas, në mungesë të stadiumit në Tetovë që do ti plotësonte kushtet, ata po i zhvillojnë në Shkup.
Me zgjidhjen e çështjes së stadiumit, do të shtohej me siguri edhe numri i shikuesve që do e ndiqnin Shkëndijën në ndeshjet europiane. (infOSport.mk)
