KF Arsimi mendon për të ardhmen, kontrata profesionale për dy talentët Ademi dhe Osmani!

KF Arsimi po zhvillon sezonin e dytë në mesin e më të mirëve, ndërsa me kalimin e kohës kjo skuadër po shndërrohet në një klub shumë serioz dhe organizativ, kjo falë punës së shkëlqyer që po bëjnë drejtuesit e tyre.

Pas konsolidimit të skuadrës, duke sjellë në rradhët e tyre disa emra me peshë, si nga futbolli vendor, ashtu edhe nga jashtë kufijve të vendit tonë, tashmë drejtuesit e skuadrës nga Çegrani po mendojnë edhe për të ardhmen e klubit, duke kyçur në skuadër edhe talente të reja nga shkolla e futbollit.

Kësisoj, së fundmi skuadrës së parë të KF Arsimit, i janë bashkuar Dardan Ademi dhe Florent Osmani. Që të dy, edhe pse shumë të rinj në moshë, kanë firmosur kontrata e tyre të para profesionale, duke realizuar ëndërrën fëmijërore, që një ditë të kontribuojnë për ekipin e parë të klubit të tyre të zemrës.

16 vjeçari Dardan Ademi dhe 17-vjeçari Dlorent Osmani janë nga talentet më premtues të akademisë “verdhezi”  dhe përfaqësueseve shpresa  të Maqedonisë, me çka nga ky sezon që të dy bëhen pjesë edhe e ekipit të parë.

“Edhe pse në adresë të tij kanë ardhur oferta dhe interesime nga klube të ndryshme evropiane, Dardani ka zgjedhur të qëndrojë në shtëpinë e tij, që e ka rritur, edukuar dhe besuar tek ai, akademinë, trajnerët, stafin dhe udhëheqësinë e klubit dhe sidomos akademisë e cila aq shumë e ka përkrahur dhe i ka besuar…!” – thonë nga KF Arsimi.

Sa i përket Florent Osmanit, gjithashtu pjesë e moshave të përfaqësueses së Maqedonisë, me ekipin e parë të KF Arsimit kishte debutuar që edicionin e kaluar, kur edhe kishte shënuar, ndërsa tashmë të bindur në kualitetet e tij, drejtuesit e skuadrës, gjithnjë në konsultim me trajnerin Vildan Saliu, kanë vendosur që ti ofrojnë kontratën e parë profesionale.

Në këtë mënyrë del në pah puna e shkëlqyer e drejtuesve që gjithnjë mbështeten edhe te Akademia e tyre, që vazhdon të prodhojë sa më shumë tanelte.

“Ekipi i parë në bashkëpunim me akademinë e klubit, punojnë ngushtë dhe për së afërmi, vazhdimisht që sa më shum talentë të inkuadrohen në ekipin e parë, andaj talentët e akademisë ndiqen për së afërmi dhe klubi ynë ua hap derën që të rriten, zhvillohen dhe të shkëlqejnë edhe me fanellën e ekipit të parë të Arsimit.” – thonë nga KF Arsimi, skuadër kjo që pas 5 xhirove të para në elitën e futbollit vendor, renditet në pozitën e 7-të me 7 pikë të fituara.

Në kuadër të xhiros së 6-të, KF Arsimi do të përballet me Vardarin në transfertë, ndeshje kjo që në program është të hënën (7 shtator) me fillim në ora 19:00 në stadiumin pranë FFM-së në Shkup. (infOSport.mk)

Leave a Reply