Pas një sëmundje të shkurtër, gjatë ditës së sotme ka ndërruar jetë doajeni i gazetarisë sportive në vend, Sami Ademi.
Sami Ademi ishte ndër gazetarët e parë sportiv në Servisin Publik, aty ku për shumë vite luante rolin e redaktorit përgjegjës të redaksisë së sportit të RTVM2, pjesë e të cilit ishte qysh nga fillimet e tij tash e gati katër dekada.
Ademi ishte njëri prej gazetarëve veteranë të sportit, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në hapësirën mbarëshqiptare.
Ai realizoi me qindra, e qindra emisione, transmetime të drejtpërdrejta, dokumentarë, reportazhe, intervista me emra të mëdhenj të sportit shqiptarë, por edhe atij botëror.
Ai edhe pse dy vite më parë u pensionua, i njëjti vazhdoi të punoj me plotë dashuri sërish profesionin e tij më të dashur që kishte në kuadër të Departamentit të Sportit në RTVM2.
Zëri i tij vazhdoi të na kënaqte veshin pranë ekraneve televizive edhe pas pensionimit të tij, ndërsa ndeshja e tij e fundit që e kishte komentuar, ishte ajo e 19 prillit (2026) midis Bashkimit dhe Struga Trim Lum në Kumanovë.
Ai gjithashtu së fundmi udhëhoqi edhe një dokumentar “Sami Ademi me Legjendat”, ashtu siç i kishte hije vetëm atij, pasi vërtetë nga ky profesion i çmuar u largua si një legjendë e gazetarisë sportive, të cilin do e kujtojmë me mall.
Neve si “infOSport.mk” nuk na mbetet asgjë tjetër, vetëm se të lutemi që ALLAHU FUQIPLOTË ta mëshirojë kolegun tonë dhe e bëftë pjesë të PARAJSËS.
