Mbyllet sezoni 2025/26, Vardari kampion, ndërsa tre ish kampion bien në Ligën e Dytë!

Me dy ndeshjet e fundit të javës së 33-të, që të dyja të zhvilluara në kryeqendrën tonë të Shkupit, edhe zyrtarisht u mbyll sezoni 2025/26 në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Siç dihet Vardari tashmë është kampioni i ri i Maqedonisë, mirëpo vlen të theksohet se skuadra kampione mund të mbetet klubi i vetëm nga Shkupi që mund të garojë vitin tjetër i vetëm në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, kjo pasi edicionin 2026/27, kryeqendra jonë do të jetë më e varfër për klubet si FC Shkupi, Makedonija GJ.P dhe Rabotniçki, që humbën statusin e skuadrave elitare.

RËNIA NË LIGËN E DYTË

FC Shkupi sezonin e mbylli me vetëm 1 pikë, duke regjistruar sezonin më të dobët në histori, Rabotniçki me 33 pikë u rendit në pozitën e 11-të, derisa Makedonija GJ.P me një pikë më shumë sezonin e mbylli në pozitën e 10-të.

Skuadra nga Gjorçe Petrovi në ndeshjen e saj të fundit në mesin e më të mirëve mundi Sileksin me shifrat 4:2, ndërkohë Rabotniçki u mund nga Tikveshi me rezultatin 1:3.

BALOTAZH

Pelisteri dhe AP Brera, janë dy skuadrat që do të luajnë në balotazh, e ku shpresojnë të mbeten pjesë e elitës. Pelisteri në balotazh do të duhet të luaj me Shkëndijën e Haraçinës, ndërkohë AP Brera do të përballet me Skopjen.

EUROPA

Vardari si kampion, do të prezantojë Maqedoninë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, Shkëndija si nënkampion do të luaj në eliminatoret e Ligës së Konferencës, njëjtë sikurse edhe Sileksi, skuadër kjo që doli të jetë fituese e Kupës për edicionin 2025/26.

SKUADRAT E RENDITURA NGA POZITA 3 DERI 7

Struga Trim Lum për të dytin vit rradhazi mbetet jashtë garave të Europës. Edhe pse skuadra strugane shpresonte deri në fund për një vend në eliminatoret e Ligës së Konferencës, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi Shkëndija edhe pse në rolin e favoritit, humbi finalen e madhe të Kupës nga Sileksi.

Në rast të një fitoreje të “kuqezinjëve” nga Tetova, atëherë do të ishte Struga Trim Lum që do të na përfaqësonte në Europë.

Tikveshi falë fitores së sotme në Shkup ndaj Rabotniçkit, në fund sezonin 2025/26 e mbylli në pozitën e 5-të, menjëherë pas Sileksit, ndërsa pozitat 6 dhe 7 që siguronin mbijetesën, ishin të rezervuara për dy skuadrat shqiptare, KF Arsimin dhe KF Bashkimin.

STATISTIKË

Vardari sezonin e mbylli me 83 pikë, por njëkohësisht edhe si skuadra më efikase dhe me më pak gola të pranuar. Plotë 80 gola të shënuar nga skuadra shkupjane dhe vetëm 21 gola të pranuar, që i bëjnë ata bindshëm më të mirët e sezonit, që do të mbahet mend edhe për një rekord negativ, të vendosur nga FC Shkupi.

Me vetëm 1 pikë të fituar dhe plotë 130 gola të pranuar, skuadra kampione e vitit 2022 ka regjistruar rekordin më negativ në historinë e Ligës së Parë. (infOSport.mk)

Leave a Reply