FC Shkupi shumë i fortë për Osogovën

FC Shkupi ka shënuar fitore 4:0 në miqësoren e zhvilluar sot përballë Osogovës nga Koçani, skuadër kjo që garon në Ligën e Dytë – Lindje, njofton “infOSport.mk”.

Edhe në këtë ndeshje te FC Shkupi nuk mungoi goli i futbollistit më në formë në Ligën e Parë, Dembo Darboe, dy gola të tjerë për “bardhekaltërit” nga Çairi realizoi Lamine Diak, ndërkohë në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Mërgim Dani, futbollistë ky i ardhur nga rradhët e Vëllazërimit të Kërçovës.

Të dy trajnerët në këtë ndeshje ju dhanë mundësinë të gjithë futbollistëve që kishin në disponim, ndërsa kuptohet në fund buzëqeshi Muharem Bajrami, që vazhdon të udhëheq në mënyrë perfekte skuadrën nga Çairi.

Këtë ndeshje skuadra e FC Shkupit  e shfrytëzoi për të ruajtur ritmin garues, kjo për shkak se futbolli vendor është në pauzë, dhe fjalën e ka përfaqësuesja e vendit që po zhvillon ndeshjet në kuadër të Ligës së Kombeve, transmeton “infOSport.mk”.

FC Shkupin në kuadër të javës së 5-të e pret përballja kundër rivalit të përjetshëm, Vardarit, ndeshje kjo që në program është me 13 shtator (e diel), ndërkohë Osogova në kuadër të javës së 3-të në Konferencën e Lindjes do të luaj kundër Tikveshit (12 shtator).

Leave a Reply