Skautë të Arsenalit në ndeshjen Shkupi-Vardari

Një ndër skautët kryesor të skuadrës së njohur angleze të Arsenalit, 66-vjeçari Robert Benet, do të përcjellë nga afër ndeshjen derbi të javës së 28-të në elitën e futbollit vendor midis Shkupit dhe Vardarit që në program është të dielën (23 prill) në stadiumin e Çairit.

Një gjë të tillë ka konfirmuar zëdhënësi i Shkupit, Hajrush Mani, duke potencuar se në zyrat e klubit nga Çairi edhe zyrtarisht ka arritur një kërkesë nga ana e klubit të njohur anglez që përfaqësues të tyre të jenë prezent në ndeshjen e së dielës, në të cilën Shkupi do të zhvillojë derbi ndeshjen kundër Vardarit.

Përveç këtij takimi Benet më pas do të ndjek edhe dy ndeshja të tjera nga kampionati vendor, ndërsa mësohet se ai drejt Maqedonisë ka udhëtuar për të ndjekur për së afërmi yjet e përfaqësueses U21 të Maqedonisë, që shkruan historinë duke u kualifikuar për në Evropianin e Polonisë.

Fjala është për futbollistët e Vardarit, Darko Vellkovski, Boban Nikolov, Igor Aleksovski dhe Besir Demiri, si dhe për dy talentët e Shkupit, Jasir Asani dhe Besir Iseni. Një lajm i këtillë na bënë që të shpresojmë se të dielën në Çair do të ndjekim një super ndeshje nga ana e të dyja skuadrave, në veçanti nga ana e futbollistëve të lartëpërmendur.

Leave a Reply