Dikur kampion i Gjermanisë, sot në Ligën e Tretë!Shpërthejnë tifozët (VIDEO)

Skuadra e Munih 1860 vazhdon rënien e saj në futbollin gjerman. Sonte ish skuadra e Valdet Ramës pësoi disfatë 0:2 në teren vendas përballë Regensburgut në ndeshjen e kthimit të balotazhit, me ç’rast me rezultatin e përgjithshëm 1:3 humbi statusin e të qenurit pjesë e Bundesliga II.

Munih 1860 ka përjetuar rënie të tmershme nga viti 2004 e këndej, kur për herë të fundit luante në Bundesligë. Që nga atëherë Munih 1860 asesi që të vjen në shprehje edhe në këtë rang garash, ku këtë edicion përjetoi edhe më të keqen, rënien në Ligën e tretë gjermane.

Rikujtojmë kjo skuadër në vitin 1966 ishte shpallur kampion në Bundesligë, pjesë e së cilës së fundmi kishte qenë plotë 10 vite rresht (1994/1995 – 2003/2004).

Disfata e sontshme ndaj Regensburgut nuk u mirëprit mirë nga ana e tifozëve të kësaj skuadre, të cilët detyruan arbitrin kryesor Daniel Zibert për të ndërprerë ndeshjen në minutën e 81-të, pasi në fushë u hodhën mjete piroteknike si dhe gjësende më të rënda, ndërsa gjithashtu një pjesë e tifozëve të Munih 1860 tentuan që të futeshin në teren.

Megjithatë falë intervenimit të shpejtë të policisë gjermane, situata nuk eskaloi dhe u qetësua pas 14 minutave, mirëpo në fund rezultoi me 10 polic të lënduar.

Ndeshja sërish vazhdoi, mirëpo pa ndryshim të rezultatit, pasi deri në fund mbeti ai i njëjti 0:2 në favor të Regensburgut, skuadër kjo e cila në fund me meritë festoi inkuadrimin në Ligën e Dytë Gjermane.

Leave a Reply