Seferi debuton me Shqipërinë: Për fanellën “kuq e zi” duhet derdhur gjak

Futbollisti kumanovar, Taulant Seferi ka debutuar më në fund në ndeshje zyrtare me fanellën e Kombëtares shpresa të Shqipërisë. Futbollisti i Jang Bojs sonte në ndeshjen eliminatore ndaj Estonisë ishte një ndër futbollistët më të mirë në fushë, duke dhënë maksimumin, ndërsa në një deklaratë për RTSH, Seferi u shpreh.

“Mendoj se na mungoi fati, sepse luajtëm më mirë, krijuam raste e lojë, por nuk na eci. Edhe me 10 fubollistë kontrolluam lojën, ushtruam presion dhe meritonim të shënonim. Estonia vetëm u mbrojt, nuk na rrezikoi asnjë herë, ndaj na vjen shumë keq, sepse mundësitë për të fituar i patëm, gjatë gjithë ndeshjes” – tha Seferi.

Ai ishte shumë i kënaqur pas këtij debutimi me fanellën “kuq e zi”, duke thënë se për këtë fanellë duhet derdhur gjak.

“Për këtë fanellë duhet derdhur gjak, është një ndjenjë e papërshkrueshme që jam pjesë e kësaj skuadre. U mundova të jap gjithçka dhe do të jap edhe më shumë sa herë të kem mundësi” – tha Taulant Seferi, duke shtuar se skuadrës shpresa të Shqipërisë i nevojitet kohë, pasi është një skuadër e re, e cila beson se me kalimin e kohës do të rritet dhe do të përmirësohet dukshëm.

Ndryshe Shqipëria e nisi me një barazim pa gola ndaj Estonisë rrugëtimin e saj në kualifikueset e Kampionatit Evropian.

Leave a Reply