Kush është Daçia, rivali i Shkëndijës?

Sot edhe zyrtarisht skuadra e Shkëndijës ka mësuar emrin e kundërshtarit në turin e parë eliminatorë të Liga Evropa. Është ajo skuadra e Daçias nga Moldavia,  që vitin e kaluar humbi titullin  e kampionit vetëm në ndeshjen e drejtpërdrejtë finale ndaj Sherif Tiraspol, pasi që të dyja skuadrat kampionatin e rregullt e kishin mbyllur me pikë të barabarta, nga 69 pikë të dyja skuadrat.

E gjithë kjo bëri që të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër finale, ku për fat të keq Daçia pësoi disfatë nga Sherif Tiraspol (2:1), skuadër kjo e cila do të jetë kundërshtari i Kukësit në turin e parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve Evropian.

Në këtë mënyrë Daçia edhe për të tretin vit me rradhë humbi mundësinë për tu shpallur kampion, duke u pozicionuar në fund vetëm në pozitën e dytë.

Herën e fundit dhe të vetmen që Daçia ishte shpallur kampion, kishte qenë sezoni 2010/2011, po të njëjtin vit kur edhe Shkëndija kishte arritur një gjë të tillë në kampionatin elitarë të Maqedonisë.

Mirëpo për dallim prej Shkëndijës që vetëm në dy raste ka dalë të jetë nënkampion, Daçia plotë 7 herë është shpallur nënkampione e Moldavisë.

Ata gjithashtu kanë triumfuar në Superkupën e Moldavisë gjatë vitit 2011-të, njëjtë sikurse edhe Shkëndija që kishte bërë një gjë të tillë po të njëjtin vit.

Për dallim nga Shkëndija që ka fituar një herë Kupën e Maqedonisë, Daçia edhe përkundër faktit se 4 herë ka luajtur në finalen e madhe, ata asnjëherë nuk kanë mundur të bëjnë për vete Kupën e Moldavisë. Ata gjithashtu në 6 raste janë eliminuar në gjysmëfinale, ndërsa sezonin e kaluar ata u eliminuan në çerekfinale nga skuadra e Zaria Balti.

Për Daçia është kjo hera e dytë që do të luajë ndaj një skuadre nga Maqedonia, pasi një gjë të tillë më herët kishte bërë ndaj Renovës nga Tetova, ndaj së cilës skuadër në sezonin 2015/2016 kishte shënuar fitore në të dyja përballjet. Në Shkup ata kishin shënuar fitore minimale 1:0, derisa në ndeshjen si vendas kishin arritur një fitore të thellë 4:1. Pikërisht falë paraqitjeve të mira në këto dy përballje drejtuesit e Daçias transferuan futbollistin tetovarë të “gjipspunuesve”, Mexhit Neziri, i cili për një sezon luajti te kjo skuadër, e cila drejtohet nga trajneri ukrainas Oleg Valeriyovych Bezhenar, edhe atë që nga 4 gushti i vitit 2015-të. Futbollisti ndaj të cilit duhet të jenë më të vëmendshëm futbollistët e Shkëndijës, është bullgari Georgi Sarmov, që sezonin e fundit me 7 gola rezultoi të jetë më i spikaturi në rradhët e Daçias, ndërsa përveç tij futbollistë që mund të jenë rrezik permanent për portierin Zahov, janë edhe bullgari me origjinë turke, Isa Mustafa Ismail, francezi Diarra Cheick Alan si dhe ukrainasi, Havrylenko Maksym, një fantazist i mesfushës së skuadrës moldave.

Daçia ndeshjet si vendas i zhvillon në stadiumin “Dacia (Speia)” që ka një kapacitet prej 8 500 ulëseve, ndërkohë ndeshjet në arenën ndërkombëtare i luan në stadiumin Zimbru, aty ku ndeshjet e saj i zhvillon edhe kombëtarja e Moldavisë, si dhe skuadra e Zimbru, një skuadër tjetër që kishte qenë kundërshtarë i Shkëndijës  gjatë sezonit 2014/2015 në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Liga Evropa.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkup Shkëndija kishte shënuar fitore 2:1, mirëpo në ndeshjen e kthimit ishte mundur me rezultatin 2:0, duke u eliminuar në këtë mënyrë që në raundin e parë. Këtë disfatë Shkëndija e kishte përjetuar në stadiumin Zimbru, aty ku do të zhvillohet edhe ndeshja e parë midis Daçias dhe “kuqezinjëve” të Qatip Osmanit me datë 29 qershor.

Leave a Reply