Panuçi flet pas dy ndeshjeve në Kombatare (VIDEO)

Seleksionuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi, ka folur në konferencë për shtyp pas dy ndeshjeve të para të zhvilluara në stolin “kuqezi”.

“Tani i njoh më tepër futbollistët e mi. Duke vlerësuar momentin delikat të sezonit sepse është vetëm fillimi dhe shumë lojtarë po luajnë me vështirësi në klubet e tyre. I trembesha shumë këtyre dy ndeshjeve, pikërisht prej gjendjes fizike të skuadrës. Siç e pamë, Franca me Luksemburgun barazoi. Mundëm Lihtenshtejnin dhe u duk gjithçka e thjeshtë, por absolutisht nuk ishte e lehtë. Në fund jam i kënaqur nga këto dy ndeshje, sepse Lihtenshtejni nuk goditi asnjëherë në portë, edhe pse kemi luajtur shumë ngadalë në 30 minutat e para, por duke patur një ide për atë që duhet të bënim në fushë. Ndërsa në pjesën e dytë skuadra e qarkulloi topin më shpejt, gjetëm avantazhin. Kemi lojtarë si Memushaj, Ajeti apo Roshi që kanë vështirësi në skuadrat e tyre dhe kishin pak minuta në këmbë.

Ndaj Maqedonisë zgjodha Lilën dhe Kukelin, edhe sepse i trembesha dëshirës së kundërshtarëve për të fituar, duke sakrifikuar disi në aspektin e lojës. Por, në të njëjtën kohë rreshtova katër lojtarë në sulm, Hyka, Roshi, Sadiku dhe Llullaku. I trembesha faktit se nëse humbisnim topin dhe do të kishim katër lojtarë në sulm, Maqedonia mund të na godiste në kundërsulm. Edhe pse në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, nuk vuajtëm. Patëm rastin e Hysajt, katër kundër një. Në pjesën e dytë zgjodha të hedh më tepër kualitet në fushë, edhe prej karakteristikave të lojtarëve në fushë. Menjëherë erdhi reagimi psikologjik i ekipit dhe gjetëm goli. Kjo erdhi prej njohjes që kam për skuadrën. Tabni që e njoh më tepër ekipin, jam i sigurt se sa më shumë kualitet të hedh në fushë, aq më mirë luan ekipi. Nëse Sadiku do të shënonte golin e dytë, unë do të isha i mirë sepse mund të fitonim. Por, rrezikuam edhe të humbisnim. Skuadra ra fizikisht dhe në 25 minutat e fundit Maqedonia e shfrytëzoi. Mund të fitonim 2-0, por në minutat e fundit edhe mund të humbisnim. Ndoshta nëse do të luanim pas disa muajsh, kur lojtarët të kishin gjendjen më të mirë fizike mund të bënim më shumë.”

“Pas ndeshjes shikoja dhe mendoja sepse jam i fiksuar pas punës që bëj. Në disa momente të jetës do të doja të isha ndryshe. Por, kam aq shumë respekt për veten për presidentin, për Shqipërinë, për lojtarët, për tifozët, saqë mendoj 24 orë në ditë për punën. Të gjithë i shohim ndeshjet eliminatore dhe ka dy skuadra që janë mbi të tjerat, që luajnë dhe janë më të organizuara: Gjermania dhe Spanja. Të tjerat janë ekipe që mundohen të hedhin sa më shumë kualitet në fushë, sepse nuk kemi shumë kohë për të punuar me skuadrën.

Unë dua të luaj futboll dhe jo të hedhim topin nga mbrojtja në sulm. Mendoj që është më mirë të luajmë me tre në mesfushë dhe jo me dy. Kjo është pjesë e njohjes time me skuadrën. Në të ardhmen do të provoj ta rreshtoj ekipin me sa më tepër kualitet në fushë dhe të kërkojmë sa më shumë mesfushorë dhe sulmues. Kam një listë me lojtarë, të cilët do të udhëtoj ti ndjek dhe t’i takoj. Nuk kisha luksin e kohës në dispozicion dhe provova të hidhja më të mirët që kisha. Pak a shumë kjo do të ndodhë nga tani.”

Leave a Reply