KF Skupi organizon turne për veteranët e futbollit në Shkup

Kryeqendra e Maqedonisë për dy ditë me rradhë do të jetë vendi ku do të grumbullohen dhe rikthehen sërish në terenin e futbollit shumë emra të njohur të së kaluarës nga vendi dhe shqiptarë të vendosur në më shumë qytete të Turqisë.

Klubi i futbollit Skupi i udhëhequr nga Bedri Saliu, në bashkëpunim me komunën “Bornovo” të Izmirit të Turqisë dhe Federatën e futbollit të Maqedonisë do të organizojnë turneun dy ditor për veteran. Në këtë event pjesëmarrjen e kanë konfirmuar 12 skuadra, 7 prej të cilave vijnë nga Turqia, ndërsa 5 tjerat kompletohen nga KF Prishtina, KF Kumanova, Makedonija Gjorçe Petrov, Rabotniçki dhe organizatori  KF Skupi.

Ky turne do të organizohet për herë të parë në Maqedoni, ndërsa më herët është zhvilluar edhe në Kosovë e Bosnjë. Në mesin e veteranëve të futbollit figurojnë legjenda të njohur si Nexhat Shabani, Isamedin Baliq, Harun Isa, Xhevat Bruti, Erxhan Menga, Biroll Topçiu etj.

 “Kjo ideja është super e mirë. Deri më tani kam punuar vetëm me të rinjët, por tash erdhi ideja që të punojmë edhe me veteranët më të moshuarit, që t’i kyçim edhe ato pak t’i aktivizojmë në ndeshje futbolli. Në realitet bëhet fjalë për një turne ku do të marin pjesë më shumë skuadra nga Turqia, në bashkëpunim me bashkëatdhetarët tanë në Izmir të Turqisë e shtruam këtë ide që të organizojmë, të bëjmë ndeshje, të argëtohen dhe ta ndjejnë vendlindjen për herë të parë në shpirtat e tyre”, ka thënë organizatori i këtij turneu, Bedri Saliu.  

Hapja solemne e turneut të veteranëve do të bëhet të mërkurën në mbrëmje, ndërsa pjesa garuese do të zhvillohet të enjten dhe të premten. Ndeshjet fillimisht do të zhvillohen në grupe në dy terenet pranë kompleksit të FFM-së, nga ora 10 deri në orën 15:00, ndërsa të premten luhen gjysmëfinalet dhe finalja kur edhe do të mbyllet turneu i veteranëve.

Leave a Reply