Tifozi me biçikletë i Partizanit i bie pishman! Nuk udhëton për në Elbasan

Ju kujtohet tifozi serb i Partizanit, Dragan Shibaliç? Ai javë më parë kishte paralajmëruar se me biçikletë nga Serbia, apo më saktë nga qyteti i lindjes së tij Kraljevo do të udhëtonte për në Elbasan për të përkrahur skuadrën e tij të zemrës në përballjen ndaj Skënderbeut në kuadër të Liga Europa, mirëpo si duket i ka rënë pishman dhe i njëjti është ndaluar në Surdulicë, ku ka përkrahur skuadrën e tij kundër Radnik, në tokën serbe.

Menjëherë pas përfundimit të këtij takimi, Shibaliç kishte vendosur që të kthehet në shtëpi dhe jo të vazhdojë udhëtimin e parashikuar drejt Shqipërisë, siç shpjegoi vetë në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

“U ktheva mbrapsht pasi një mik i imi në Tiranë më tregoi se mediat vendase kishin lajmëruar për këtë udhëtim, duke e cilësuar edhe provokim. Ndaj mendoj se nuk do të ishte në të mirën time dhe Partizanit që të udhëtoja. Nuk di se çfarë mund të prisja nga tifozët atje dhe bëra gjënë e zgjuar, është më mirë kështu. Bëra gabim që publikova vendimin për të shkuar atje. Duhej të kisha qëndruar i heshtur, të shkoja të shihja ndeshjen dhe të kthehesha pastaj të shkruaja historinë e udhëtimit tim”, – kishte shkruar Shibaliç në statusin e tij.

Ndeshja midis Skënderbeut dhe Partizanit që në program është të enjten me fillim në ora 21:05 minuta do të zhvillohet pa praninë e tifozëve mysafir.

Leave a Reply