Real Madrid “çmendet” pas Mauro Ikardit

Paraqitjet dhe golat e shënuar gjatë këtij sezoni me fanellën e Interit nga ana e Mauro Ikardit kanë bërë që për shërbimet e tij të interesohet skuadra më e mirë evropiane dhe botërore për momentin, Reali i Madridit.

Sulmuesi “neroaxurrë” është kthyer në objektivin kryesor të merkatos së verës së ardhshme për skuadrën “mbretërore”.

Sipas mediave italiane, Zinedin Zidan ka piketuar futbollistin e Interit si emrin që do të dëshironte për repartin e avancuar që nga sezoni i ardhshëm dhe në klubin madrilen janë të gatshëm për t’ia plotësuar dëshirën strategut të tyre.

Zidan fillimisht kishte kërkuar sulmuesin anglez, Herri Kejn, por Totenhem ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të lë të lirë goleadorin e saj, pavarësisht ofertës së majme nga ana e klubit madrilen prej 120 milionë eurove.

Kësisoj, spanjollët kanë kthyer sytë nga Italia ku transferimi i Ikardit është mëse i realizueshëm edhe nëse “zikaltërit” nuk e dëshirojnë një gjë të tillë.

Futbollisti me origjinë argjentinase ka një klauzolë largimi prej 110 milionë eurosh në kontratën e tij, shifër që Reali mund ta paguajë pa probleme duke thyer rekordin e transferimeve të klubit që mbahet nga firma me Garet Bejl.

Gjithashtu edhe rroga prej 5 milionë eurosh në sezon që Ikardi merr te skuadra italiane nuk e shqetëson aspak Realin e Madridit, i cili pritet ta rritë këtë shifër në mënyrë të ndjeshme, për të bindur Ikardin që të transferohet në “Santiago Bernabeu”.

Ikardi gjatë këtij sezoni në 8 ndeshje të zhvilluara në “Serie A” ka realizuar 9 gola.

Leave a Reply