Ferhan Hasani i vetëm më shumë gola se sulmi i Vardarit

Kapiteni i Shkëndijës Ferhan Hasani po kalon një formë të jashtëzakonshme këtë edicion në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Ai në 11 ndeshje ka shënuar 10 gola, duke kryesuar edhe renditjen e golashënuesve në elitën e futbollit vendor. Pas tij me vetëm një gol më pak renditet shoku i tij i skuadrës Besart Ibraimi, ndërkohë sa u përket sulmuesve të skuadrës rivale të Vardarit, ata janë shumë mbrapa yllit të Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.

Dhe pikërisht mos efikasiteti i sulmuesve të skuadrës shkupjane, ka bërë që Shkëndija të krijon një diferencë prej plotë 11 pikësh ndaj rivalit të përbetuar për titullin e kampionit, edhe pse duhet cekur se Vardari ka edhe dy ndeshje më pak.

Sulmuesit e Vadarit, Tigran Barsegijan (4 gola), Dejan Bllazhevski (3 gola), Italo Dos Santos (2 gola), Aco Stojkov (/),  Maksim Maksimov (/), Filip Stojçevski (/), Bojan Kolevski (/) dhe Petar Petkovski (/), që të gjithë së bashku kanë shënuar 9 gola, një më pak se kapiteni i Shkëndijës, Ferhan Hasani, i cili falë paraqitjeve të mira dhe aftësive të tij realizuese është bërë një futbollistë i pazëvendësueshëm te përfaqësuesja e Maqedonisë.

Ai është grumbulluar edhe për ndeshjen miqësore të 11 nëntorit kundër Norvegjisë, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Shkup.

Leave a Reply