LE, njihuni me 12 skuadrat që mund të prejnë biletën për në fazën tjetër

Sonte në kuadër të ndeshjeve të Liga Evropa në program janë ndeshjet e xhiros së katërt. Në bazë të kombinimeve të rezultateve të sotme, plotë 12 skuadra mund të prejnë biletën para kohe për në raundin e dytë të garave, duke kthyer kështu në formalitet dy ndeshjet e fundit të grupeve.

Në mesin e atyre skuadrave që mund të bëjnë një gjë të tillë janë edhe dy skuadrat italiane, pjesë e së cilave janë dy gardianët e kombëtares shqiptare.

Fjala është për Lacion e Thomas Strakoshës dhe Atalantan e Etrit Berishës. Lacio mund të kalojë në fazën tjetër nëse eviton një humbje përballë Nicës së Balotelit, ndërsa në rast fitoreje, “lacialët” do të siguronin vendin e parë në grupin “K”.

Atalanta e Etrit Berishës mund të kualifikohet sot nëse fiton në fushën e Apollon Limasol, gjithmonë nëse Evertoni nuk arrin të mposhte Olimpik Lionin.

Ndërkaq një skuadër tjetër italiane që mund të sigurojë biletën për në fazën e dytë të garave në Liga Evropa është edhe Milani i Vinçenco Montellas, që duhet të fitojë në transfertën ndaj AEK-ut të Athinës.

Një vend për në fazën tjetër mund të sigurojnë edhe Dinamo Kievi që është në grup të njëjtë me Skënderbeun si dhe rusët e Zenitit që luajnë bashkë me Vardarin në grupin “L”. Zeniti do të duhet të mund Rosenborgun, teksa Dinamo e Kievit, do të duhet të mpshtë Jang Bojsin.

Një fitore e ukrainasve do t’i shkonte për shtat edhe skuadrës shqiptare pasi do të linte të hapur garën për vendin e dytë.

Ndërkaq, skuadra të tjera që mund të kualifikohen që sonte janë Ludogoretsi, Steaua e Bukureshtit, Arsenali, Ostersunds, Zoria, Nica dhe Salzburgu i Valon Berishës, kuptohet nëse në teren vendas do të ngadhnjenin ndaj turqve të Konjaspor.

Leave a Reply