KB Shkupi kthehet duarbosh edhe nga Ohri

Klubi i basketbollit Shkupi ka pësuar edhe disfatën e 6-të nga po aq ndeshje të zhvilluara në Superligën e basketbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Enver Miftari sot pësuan në transfertën ndaj Ohrid AV me rezultatin 105:92 (24:28, 24:30, 21:34, 23:13).

KB Shkupi e nisi më mirë ndeshjen duke avansuar me rezultatin 8:3, mirëpo pasoi një seri prej 12:0 e vendasve, të cilët në këtë mënyrë rikthyen rezultatin në favorin e tyre, ndërsa periudhën e parë e mbyllën me 4 pikë epërsi, 28:24.

Periudha e dytë solli një lojë shumë të mirë, ku KB Shkupi në një moment arriti të barazojë rezultatin në 40:40, mirëpo fundi i kësaj periudhe sërish foli në  anën e skuadrës vendase të Petar Çoçoroskit, të cilët këtë periudhë e mbyllën me rezultatin 30:24, duke e mbyllur kështu pjesën e parë me 10 pikë epërsi, 58:48.

Periudha e tretë ishte më e dobëta e zhvilluar nga ana e basketbollistëve shkupjan, të cilët thjesht nuk arrinin të gjenin dot përgjigje për basketbollistët vendas, të cilët këtë periudhë e mbyllën me 13 pikë epërsi, (34:21).

92:69 ishte rezultati me të cilin skuadrat u futën në periudhën e fundit, e cila foli në të mirë të “bardhekaltërve” nga Çairi të cilët e mbyllën këtë pjesë me 10 pikë epërsi, mirëpo që nuk ndikoi në rezultatin përfundimtarë, pasi ishin vendasit ata që në fund realizuan fitoren e tyre të katërt këtë edicion.

Më i merituar për këtë fitore të Ohrid  AV ishte amerikani Remi Beri që ndeshjen e mbylli me 32 pikë të tubuara, ndërsa me lojë të mirë te skuadra vendase u dalluan edhe Emir Zimiq dhe Ros Kenet, të cilët shtuan nga 18 pikë.

Në anën tjetër te KB Shkupi shkëlqeu debutuesi Muojeke Afam, i cili realizoi plotë 32 pikë, duke dëshmuar se do të jetë një përforcim i denjtë për skuadrën e trajnerit Enver Miftari për ndeshjet në vazhdim të kampionatit vendor në basketboll. Nuk mungoi edhe paraqitja e mirë  e Haris Tajron, i cili ndeshjen e mbylli me 23 pikë, 5 kërcime dhe 3 asistime, teksa Xhozef Tejlor regjistroi 18 pikë, 7 kërcime dhe 1 asistim.

Ndeshjen e rradhës KB Shkupi do ta zhvillojë si vendas përballë skuadrës së Karposh Sokoli.

 

Leave a Reply