Peruja rikthehet në Botëror pas plot 36 viteve (VIDEO)

Peruja ishte Kombëtarja e fundit që ka siguruar një biletë për në kampionatin Botëror, “Rusi 2018”, njofton “infOSport.mk”. Ekipi kombëtar nga Amerika e Jugut në ndeshjen e kthimit të balotazhit mundi Zelandën e Re me rezultatin 2:0, rezultat ky i përgjithshëm që u siguroi atyre pjesëmarrjen në Botërorin e vitit të ardhshëm, duke pasur parasysh se ndeshja e parë mes këtyre dy kombëtareve ishte mbyllur me barazim pa gola.

Kësisoj Peruja zë vendin e fundit që kishte mbetur bosh për në Botërorin e Rusisë, ndërsa më të merituar për një gjë të tillë ishin Farfan dhe Ramos, që shënuan golat e fitores.

Peruanët do të rikthehen pas 36 vite mungesë, ndërkohë do të jetë kjo vetëm pjesëmarrja e tyre e 5-të në një Botëror.

Në rrugët e kryeqytetit të Perusë ka shpërthyer festa, që do të vazhdojë edhe sot gjithë ditën, pas vendimit të qeverisë për ta kthyer në festë kombëtare.

Me Perunë është plotësuar edhe lista me skuadrat që do të jenë pjesëmarrëse në Botërorin e Rusisë.

Më datë 1 dhjetor do të hidhet shorti për ndarjen e 8 grupeve me nga 4 skuadra, ndërsa kombëtaret pjesëmarrëse janë këto: Arabia Saudite, Argjentina, Australia, Belgjika, Brazili, Kolombia, Kosta Rika, Kroacia, Danimarka, Egjipti, Franca, Gjermania, Japonia, Anglia, Irani, Islanda, Maroku, Meksika, Nigeria, Panamaja, Peruja, Polonia, Portugalia, Rusia, Senegali, Serbia, Spanja, Koreja e Jugut, Suedia, Zvicra, Tunizia, Uruguai.

Leave a Reply