Ibraimi: Ndaj Renovës fitojmë për “Ballistët”

E shtuna në elitën e futbollit vendor është e rezervuar për derbin lokal të Tetovës midis dy skuadrave shqiptare, Renovës dhe Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”. Besart Ibraimi, i cili kishte qenë njëri prej autorëve të golave në ndeshjen e parë të këtij sezoni të fituar nga Shkëndija (2:0), kërkon edhe një  fitore tjetër, e cila do të kishte zbukuruar festën e tifozëve të skuadrës së tij “Ballistëve”, por edhe për të vazhduar ecurinë e suksesshme në kampionat.

“Kemi ecuri shumë pozitive këtë sezon dhe qëllimi ynë është të sjellim vazhdimësi të njejtë deri në fund të sezonit për të realizuar objektivat. Kjo nënkupton luftë për tre pikë në çdo ndeshje, përfshi edhe takimin e rradhës me Renovën. Jemi të përqëndruar të japim më të mirën për të performuar në nivelin tonë më të mirë, pasi vetëm me qasje serioze dhe angazhim maksimal mund të marrim atë që duam. Renova ka skuadër të mirë, ne i respektojmë ata dhe nuk na gënjen kriza e tyre në tre ndeshjet e fundit. Edhe më herët nisën keq kampionatin, por kur hynë në seri disa ndeshje ishin në nivel të lartë. Besoj në ndeshje shumë cilësore, në tribuna të mbushura dhe shpresoj ne të marrim fitoren që do të jetë dedikim për tifozët tanë “Ballistët” të cilët festojnë 25 vjetorin”, – deklaroi për “infOSport.mk” sulmuesi i Shkëndijës, Besart Ibraimi.

Ndeshja ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës starton në ora 13:00 në stadiumin e qytetit në Tetovë, ndërsa “Ballistët” kanë paralajmëruar një festë të vërtetë e cila do të mbahej mend një kohë të gjatë. Ata festojnë 25 vjetorin e themelimit, ndërsa duke pasur parasysh performancën e tyre, vërtetë dita e sotme pritet të jetë një festë e madhe për futbollin në vend.

Leave a Reply