Sampdoria interesohet për mesfushorin e kombëtares shqiptare

Mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Kamer Qaka ka përfunduar në radarin e Sampdorias. 22-vjeçari ka dhuruar paraqitje pozitive këtë sezon me skuadrën rumune të Politehnica Iasi, duke u evidentuar si një nga përforcimet e mundshme të skuadrës nga Xhenoa në merkaton e janarit.

Debutuesi kuqezi në miqësoren kundër Turqisë, ka dhënë një intervistë për mediet norvegjeze, ku e pranon se ka folur me presidentin që është i gatshëm për të hyrë në bisedime, por çështja do të thellohet pas pushimeve të fundvitit.

“Me siguri di për një ofertë të Bragës në Portugali, ndërsa nga Suedia ka vetëm interesim. Objektivi im është që të luaj në kampionate prestigjoze dhe për momentin mund të them se ka 80 % mundësi që të largohem”, – thekson 22-vjeçari shqiptar.

Në vijim, Qaka shton se stili i tij përshtatet shumë me futbollin në Spanjë e Itali. Ndërkohë, presidenti i klubit rumun, Adrian Ambrose, duket i dorëzuar dhe e pranon se përveç ofertave nga kampionatet e rëndësishme, interes për mesfushorin ka shfaqur edhe Steaua Bukuresht, CFR dhe Kraiova në Rumani.

“Do të jetë shumë e vështirë që ta mbajmë”, ka theksuar ai. Gjithsesi, zërat që vijnë nga Italia janë më këmbëngulës në këtë garë, pasi Sampdoria ka gati rreth 1 milionë Euro për të blerë kartonin e shqiptarit, që konsiderohet edhe si një nga lojtarët e të ardhmes në radhët e Kombëtares Kuqezi. (Top Channel)

Leave a Reply