Florent Osmani flet për karrierën e tij dhe situatën e krijuar te EuroMilku

Florent Osmani, një ndër futbollistët më të dalluar gjatë stinorit vjeshtor te skuadra e EuroMilkut, beson se do të vazhdojë edhe më tej të jetë pjesë e skuadrës nga Lisiçja e Epërme, njofton “infOSport.mk”.

Mirëpo një gjë e tillë do të ndodh vetëm nëse realizohen premtimet e bëra nga ana e numrit një të Komunës së Aerodromit, Zlatko Marin, i cili ju ka premtuar atyre se do të financojë klubin, duke filluar nga ky muaj.

“Me EuroMilkun kam kontratë deri verën e vitit 2018-të. Ne kemi marrë një premtim nga ana e kryetarit të ri të Komunës së Aerdoromit, Zlatko Marin se duke filluar nga ky muaj do të financojë klubin tonë. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë shtohen gjasat tona që të luftojmë për dy vendet e para që sigurojnë një vend për në elitën e futbollit vendor. Mirëpo nëse nuk ndodh një gjë e tillë nga ana e kryetarit dhe ai nuk mban premtimin, unë kam biseduar me drejtuesit e klubit që në rast të ndonjë oferte më të mirë të largohem nga EuroMilku pa asnjë problem” – tha enkas për “infOSport.mk”, Florent Osmani.

EuroMilku stinorin vjeshtor në Ligën e Dytë – Perëndim e mbylli në pozitën e 5-të me 20 pikë të tubuara, vetëm 5 pikë më pak se dy skuadrat kryesuese Vëllazërimi dhe Gostivari. Osmani ishte ndër futbollistët më standard, duke zhvilluar 13 ndeshje dhe duke regjistruar 4 gola dhe 4 asistime.

Leave a Reply