Broja: I lumtur që do jem pjesë e klubit më të suksesshëm shqiptarë në Maqedoni

FC Shkupi sot ka bërë një super goditje, duke bërë për vete një ndër talentët më të mëdhenj shqiptarë të futbollit modern, Rron Broja. 21-vjeçari te skuadra nga Çairi vjen nga rradhët e kampionëve të Kosovës, Trepça ’89, skuadër ku edhe kishte filluar karrierën e tij futbollistike. Falë talentit të tij, ai në vitin 2015-të si 19-të vjeçar u transferua te skuadra e njohur belge e Gent, ndërsa gjithashtu për një vit ai mbrojti edhe ngjyrat e skuadrës së Deinze, po nga Belgjika.

Ajo që ka shtyrë ti thotë “PO”, FC Shkupit është projekti gjigand i drejtuesve të rinj si dhe historiku që ka kjo skuadër, që gjithashtu pas vetes ka një armatë të madhe të tifozëve.

“Padyshim se jam shumë i lumtur do të jem pjesë e klubit më të suksesshëm shqiptarë nga Maqedonia. Kisha dëgjuar qysh si fëmijë kur Shkupi ka luajtur me emër tjetër që është kampion i trefishtë dhe fitues i tri titujve të kupës. Andaj pa hezitim bëra zgjedhjen e duhur që të vesh fanellën e një skuadre kampione. Gjithsesi do të jetë për mua shumë me rëndësi që do të luajë edhe para një armate të madhe të tifozerisë shkupjane “Shvercerat”, dhe besoj se do së bashku me ekipin do arrijmë shumë suksese”, – është prononcuar për faqen zyrtare të klubit super talenti 21 vjeçar.

Kryesia e FC Shkupit kështu ngadalë por me hapa të sigurt po përmbush kërkesat e stafit teknik dhe po kompletohet para nisjes së fazës së dytë përgatitore që do të zhvillohet në Antalia të Turqisë, e ku edhe do të luhen ndeshje kontrolluese me ekipe që janë me përvojë edhe në Ligën e Kampioneve.

Mirëpo kjo nuk është e tëra nga ana e drejtuesve të rinj të FC Shkupit, pasi që nesër pritet edhe një emër tjetër i bujshëm që vjen nga tregu ynë vendor, ndërsa gjithashtu ditëve në vijim do të ketë edhe emra të tjerë të rinj.

Leave a Reply